E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vjedh shtëpinë e policit fshihet në mullarin e barit

10/06/2005  Arrestohet nga policia

DURRES - Policia e rajonit të Shijakut ka arrestuar një shtetas nga Rrushkulli, pasi është orvatur të vjedhë shtëpinë e një punonjësi të policisë. Dritan Kondakçiu, 28 vjeç, pasi nuk ka mundur të grabisë sendet, për të cilat kishte hyrë në banesën e shtetasit Xh.Xhafa, në Sukth, të Durrësit, ka lënduar në duar dhe në pjesë të tjera të trupit pjesëtarët e familjes dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Burime nga policia kanë pohuar se familja e bërë objekt i vjedhjes së Kondakçiut, i dënuar edhe më parë për të njëjtën vepër penale, është e një punonjësi policie në Durrës, ndërkohë që autori ka hyrë në banesë me armë të ftohtë.

Tentativa e tij për të vjedhur shtëpinë e familjes Xhafa është bërë pasditen e së mërkurës, rreth orës 17.00, ndërsa autori i vjedhjes është kapur në mëngjesin e së enjtes në Shijak.

Sipas policisë, 28-vjeçari, i lindur në Manzë të Durrësit dhe banues në Rrushkull, ishte strehuar në një mullar bari në lagjen Kodër Shijak. Në operacionin e policisë janë aktivizuar katër shërbime policie për të kapur vjedhësin e banesës së kolegut të tyre.

Bashkë me ndalimin e shtetasit Dritan Kondakçiu, policia ka sekuestruar edhe thikën, me të cilën plagosi lehtë dy bashkëshortët Xhafa në Sukth. Megjithëse familja e policit, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, jetonte me pensionet e prindërve dhe rrogën e policit, vjedhësi e ka vënë në shënjestër të grabitjes me mendimin se do të mund të gjejë sende me vlerë.

Por, ai është diktuar nga të moshuarit, të cilët janë bërë objekt i ndëshkimit nga Kondakçiu. Sipas policisë, bashkëshortët kanë marrë plagë gjatë përleshjes me 28-vjeçarin, i cili ka mundur të largohet nga Sukthi për të përfunduar gjatë gjithë natës nën strehën e një mullari, në lagjen Kodër Shijak. Për të arrestuar autorin, policia ka vënë shpërblim për efektivat në operacion, të cilët kanë mundur ta vënë në pranga Dritan Kondakçiun.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›