Dy burgje me drejtorë fiktivë
Fatos Mahmutaj
Kujtim Dosti dhe Ylli Zdrava dy drejtorët respektivë të bur-gjeve Kosovë dhe Rrogozhinë qëndrojnë formalisht në këto poste, pasi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ua njeh dokumentet e firmosura prej tyre. Lajmin e pohojnë burime nga Burgjet, të cilët shtojnë se ky problem që ka nisur prej dy muajsh është kthyer në shqetësim për mbarëvajtjen e punëve në këto institucione. Të paktën rrogat e muajit korrik, të stafit policor dhe civil në burgun e Kosovës së Lushnjës janë paguar me 6 ditë vonesë, për shkak se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk njihte si të ligjshëm asnjë dokument të firmosur nga drejtori Kujtim Dosti. Vetëm pasi borderotë u firmosën nga nëndrejtori i institucionit, Burgjet i konfirmuan bankës pagesat për punonjësit e burgut. Po kështu e njëjta gjë ndodhi edhe në burgun e Rrogozhinës, ku rrogat e punonjësve u zhbllokuan vetëm pas firmosjes së borderove nga nëndrejtori i institucionit. E njëjta gjendje vazhdoi edhe në fundin e muajit gusht, dhe për të mos pasur probleme të tilla, borderotë u firmosën në kohë nga nëndrejtorët e këtyre institucioneve. Për më tepër dy drejtorëve Zdrava dhe Dosti nuk u njihen nga krerët e Drejtorisë së Burgjeve firmat nëpër dokumente të tjera zyrtare që kanë lidhje me këtë institucion. Madje për këtë, mësohet nga se kreu i Burgjeve, Gazmend Dibra ia ka deleguar firmat nëndrejtorëve të institucioneve. Shkak për mosnjohjen e firmës është fakti se këta janë emëruar nga ministri i Drejtësisë pa u propozuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Të paktën kjo pretendohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ndërsa nga Ministria e Drejtësisë nuk ka pasur ndonjë deklaratë për këtë problem. Zdrava u rikthye në krye të burgut të Rrogozhinës në fund të muajit korrik, pasi qëndroi për pak javë i pezulluar për shkak se emisioni televiziv investigativ "Fiks Fare", transmetoi pamje të një kamere të fshehtë në të cilën pretendohej se shoferi i tij kishte përfituar një shumë eurosh në këmbim të lejes së një të dënuari. Pas hetimit nga prokuroria Zdrava u shpall i pafajshëm dhe u rikthye sërish në detyrë. Riemërimi i tij në të njëjtën detyrë nuk u prit mirë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, institucion i cili vendosi të mos i njihte firmën atij. Në të njëjtën kohë me rikthimin e tij në detyrë, Alibeaj firmosi lirimin Ismail Çalës nga detyra, i cili e drejtoi burgun pas pezullimit të Zdravës.
Alibeaj emëroi drejtorët pa propozimin e Dibrës
Tirane - Kujtim Dosti dhe Ylli Zdrava, krerët e burgjeve Kosovë dhe Rrogozhinë u emëruan njëri pas tjetrit në fund të muajit korrik nga ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, ndërsa u prezantuan në këta institucione nga zëvendësministri i Drejtësisë Ermal Dobi. Atëherë, mediat raportuan lajmin, se Dobi nuk u prit mirë në këta dy institucione, ndërsa në burgun e Kosovës u shënua edhe një incident, kur ish-drejtori i shkarkuar i këtij Burgu Ramazan Ahmetaj nuk pranoi të hapte derën e institucionit, duke pretenduar se drejtori i ri dhe zëvendësministri nuk shoqëroheshin nga ndonjë funksionar, përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Ndërsa problemi i Zdravës ishte pak më i thjeshtë, pasi ai u rikthye në detyrën, nga e cila ishte pezulluar pak javë më parë. Aktualisht Zdrava dhe Dosti qëndrojnë në krye të dy burgjeve, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka refuzuar t'iu njohë shkresat zyrtare, duke pranuar vetëm ato të nëndrejtorëve, të cilëve u ka deleguar firmën me një shkresë të kreut Gazmend Dibra. f.m.
Ylli Zdrava, u pezullua dy muaj nga detyra, u akuzua për shitje lejesh
TIRANE - Ylli Zdrava, kreu aktual i burgut të Rrogozhinës u pezullua në muajin maj të këtij viti pasi emisioni investigativ "Fiks Fare" transmetoi një kamera të fshehtë në të cilën shoferi i Zdravës mori një shumë rreth 500 euro në këmbim të një leje 5 ditore për një të burgosur. Sipas "Fiks Fare" këto para merreshin në emër të drejtorit, i cili më pas do të firmoste lejen për këtë të dënuar. Pas disa javësh i pezulluar ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj vendosi ta rikthente Zdravën në detyrë, ndërkohë që Prokuroria e Kavajës, pasi e hetoi këtë rast kishte vendosur pushimin e çështjes në ngarkim të kreut të burgut për mungesë provash. Atëherë, menjëherë pas kësaj reagoi Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, i cili u shpreh kundër vendimit për rikthimin në detyrë të Zdravës. Por edhe pas kësaj mosmarrëveshjet do të vazhdonin me mosnjohjen nga Burgjet, të kompetencave dhe dokumenteve të nënshkruar nga ky drejtor. Në të njëjtën ditë me rikthimin e Zdravës në punë nga Alibeaj në burgun e Kosovës së Lushnjës do të ndodhte një incident, pasi ish-drejtori i këtij institucioni, Ramazan Ahmataj nuk lejoi të hynte në burg zëvendësuesi i tij Dosti. Aktualisht, Zdrava ndodhet në krye të burgut të Rrogozhinës, ndërsa korrespondencën me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve e nënshkruan nëndrejtori i këtij institucioni. fa.ma.