Dy burra, në grevë urie për kufomat e fëmijëve
Familjarët e personave të zhdukur në tragjedinë e 9 janarit 2004 kanë nisur dje në mesditë në Shkodër një grevë urie me kërkesën për kthimin e trupave të fëmijëve të tyre të zhdukur në këtë tragjedi. Sipas familjarëve, ata kanë siguruar një deklaratë të ish-shefit të Krimeve të asaj kohe në policinë e Vlorës, Sokol Bizhga, ku thuhet se më datë 10 janar 2004 janë gjetur trupat e pajetë të atyre që sot cilësohen si të zhdukur. Greva e tyre e urisë duket e vendosur deri në vdekje, pasi grevistët, ndryshe nga sa jemi mësuar të shohim, kanë marrë me vete dhe arkivolet, për t‘u flijuar nëse nuk u plotësohet kërkesa. Pas daljes së fakteve të reja në lidhje me tragjedinë e 9 janarit 2004, ku humbën jetën në ujërat e detit Jon 28 të rinj e të reja nga zona e Shkodrës, familjarët e tetë personave që vazhdojnë të rezultojnë të humbur kanë hyrë dje në grevë urie. Ndoc Bjeshka dhe Ndue Zajeti janë dy nga personat që kanë iniciuar këtë grevë, së cilës pritet t‘i bashkohen edhe 6 familjarë të tjerë. Sipas njërit prej grevistëve, Ndoc Bjeshkës, tetë muaj më parë familjarët e viktimave kanë siguruar një deklaratë të shefit të Krimeve të asaj kohe, Sokol Bizhga, në të cilën thuhet: "Në orën 6:30 të mëngjesit të datës 10 janar, në Gjirin e Dafinës është gjetur nga një anije shqiptare një gomone me tetë trupa të pajetë në bord". Po sipas kësaj deklarate që kanë siguruar familjarët e të zhdukurve, mësohet se gomonia e gjetur është rimorkiuar nga anija shqiptare, por destinacioni i saj ende nuk dihet. Dy grevistët deklarojnë se greva do vazhdojë deri në gjetjen e eshtrave të fëmijëve të tyre, në të kundërt ata shprehen se do hyjnë të vdekur në arkivolet që kanë marrë në ambientet ku po zhvillojnë grevën. Ndërkohë, kryetari i shoqatës "9 janari", Nikollë Mëhillaj, shprehet se grevistët kërkojnë që të rihapet hetimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, të zbardhet e gjithë e vërteta e kësaj tragjedie dhe të gjenden tetë personat e tjerë që vazhdojnë të rezultojnë të humbur. Familjarët e viktimave akuzojnë Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Transporteve për mosdhënien e ndihmës në kohën e duhur, duke lënë qëllimisht të vdesin ata që ishin në gomone. Sipas familjarëve të viktimave të kësaj tragjedie, duhet të ngrihet një grup hetimor parlamentar për zbardhjen e tragjedisë, të bëhet denoncim publik e penal për njerëzit e veshur me pushtet që nuk kanë dalë para gjyqit. "Askush nuk i pengon ata që sot janë në pushtet për ta zbardhur këtë të vërtetë. Nëse ekziston dëshira, e vërteta del. Pushtetarët e sotëm sa ishin në opozitë premtuan, tani në pushtet harruan", tha njëri nga grevistët.
Të zhdukurit
Ndue Sanaj, 21 vjeç, Shosh, Shkodër
Artan Sagrini, 33 vjeç, Shkodër
Arian Gjilaj, 29 vjeç, Golem, Shkodër
Marjana Zajeti, 18 vjeçe, Shkodër
Kreshnik Bjeshka, 25 vjeç, Shkodër
Fahrije Mehemeti, 34 vjeçe, Gruemirë, Malësi e Madhe
Gjin Grizha, 19 vjeç, Kelmend, Malësi e Madhe
Ermira Grizha, 16 vjeçe, Malësi e Madhe
Të zhdukurit
Ndue Sanaj, 21 vjeç, Shosh, Shkodër
Artan Sagrini, 33 vjeç, Shkodër
Arian Gjilaj, 29 vjeç, Golem, Shkodër
Marjana Zajeti, 18 vjeçe, Shkodër
Kreshnik Bjeshka, 25 vjeç, Shkodër
Fahrije Mehemeti, 34 vjeçe, Gruemirë, Malësi e Madhe
Gjin Grizha, 19 vjeç, Kelmend, Malësi e Madhe
Ermira Grizha, 16 vjeçe, Malësi e Madhe