Shembet tavani i klasës, rrezikohen 15 nxënës
Përsëri shembje e tavanit të një tjetër klase në shkollën "Shefqet Kazdeda", në fshatin Urakë në Rrethin e Matit. Nga burime të sigurta informacioni mësohet se të enjten është shembur tavani i klasës së nëntë të kësaj shkolle, pikërisht kur 15 nxënësit e kësaj klase kanë qenë në orën e dytë të mësimit. Nxënësit kanë ulëritur me sa fuqi kishin, kur mbi kokat e tyre kanë filluar të bien copëza suvaje, shenja të shembjes së tavanit. Kaq ka mjaftuar që 15 nxënësit e kësaj klase të largohen me shpejtësinë më të madhe nga klasa. Ulërimat dhe britmat e tyre kanë ngjallur frikë e panik te nxënësit e tjerë të shkollës, të cilët kanë lënë orën e mësimit dhe kanë dalë në oborrin e shkollës. Menjëherë kanë mbërritur në shkollë prindërit e nxënësve, të cilët janë interesuar për shëndetin e fëmijëve të tyre. Ata janë shprehur të indinjuar për indiferencën e institucioneve, për marrjen e masave për sigurimin e jetës së fëmijëve, pasi vetëm një javë më parë, nga shembja e një tjetër tavani të klasës së parë, u vu në rrezik jeta e fëmijëve.