Dy burra nën hetim, dhunuan bashkëshortet
Policia e Tiranës merr në mbrojtje gratë, pas denoncimeve për dhunë në familje
TIRANË- Shoqërohen në polici dy burra, dhunonin bashkëshortet e tyre. Një 29-vjeçar dhe një 34-vjeçar janë shoqëruar nga policia ditën e djeshme, pasi janë denoncuar nga bashkëshortet për dhunë fizike. Burime zyrtare nga policia thanë se 29-vjeçarika keqtrajtuar sistematikisht gruan e tij 30-vjeçare, derisa kjo e fundit ka vendosur të ankohet në polici. Xhelozia dyshohet të jetë shkaku që ka detyruar 29-vjeçarin të përdorë dhunë kronike mbi gruan e tij. Kjo e fundit kërkoi ndihmën e policisë duke shkuar në ambientet e komisariatit nr. 3, ku denoncoi bashkëshortin e saj. Menjëherë çështja i kaloi seksionit të luftës kundër dhunës në familje e cila urdhëroi mbrojtjen e 30-vjeçares. Ndërkohë, po dje, policia ka shoqëruar një tjetër bashkëshort të dhunshëm. Dy net më parë, 34-vjeçari me inicialet V.P ka goditur bashkëshorten e tij. Burime nga policia thanë se ngjarja ndodhi pas një debati mes çiftit. Mësohet se 34-vjeçari është kthyer në banesën e tij në gjendje të dehur. Ai ka filluar të debatojë me bashkëshorten ku pas fjalëve të ashpra të ndërsjella, 34-vjeçari ka filluar të godasë gruan. Kjo e fundit lajmëroi policinë e cila shoqëroi në ambientet e komisariatit nr.2 atë. Pasi u mor në pyetje ai u la i lirë, ndërsa do të ndiqet penalisht. Aktualisht, policia e Tiranës ka nën mbrojtje një numër jo të vogël femrash, të cilat kanë denoncuar për dhunë bashkëshortët e tyre.