E Diel, 1 Nëntor 2026

“Xhelozia e greke për të njëjtin aktivitet, ndërseu policinë ndërtimore ndaj meje”

26/03/2005  SARANDË/ Policia ndërtimore prish një linjë inertesh. Reagon pronari

SARANDË - Policia ndërtimore shemb linjën inertobeton në afërsi të lagjes së peshkimit në Sarandë. Aksioni filloi mesditën e një dite më parë dhe është shoqëruar nga afër nga më shumë se 100 forca policore. Efektiva të Policisë Ndërtimore të Prefekturës së Vlorës, Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Policia e Sarandës realizuan operacionin për shembjen e linjës së betonit.

Në krye të këtij aksioni, qëndronte drejtori i Polisë Ndërtimore për Qarkun e Vlorës, Xhezmi Myftari, i cili nuk pranoi të bënte asnjë deklaratë.

Fadroma e ndërtimorëve ka prishur deri në orët e vona të ditës së djeshme dy transportierë të linjës inertobeton dhe fabrikën e betonit. Nuk i ka shpëtuar prishjes edhe qendra e zyrave të shoqërisë juridike, edhe kjo pronë e Skënder Muços.

Sipas Muços, shuma e dëmit të shkaktuar nga aksioni i ndërtimorëve arrin në disa qindra milionë lekë. Në një intervistë për gazetën “Metropol” ai denoncon prishjen e linjës së inerteve, si të qëllimshme, për të favorizuar pas kësaj, firmat greke që zhvillojnë të njëjtin aktivitet.

Spas jush, pse ky operacion kaq i ashpër për prishje e shembje në pronën tuaj?

Prishja e pikës së shitjes së inerteve dhe betonit, të cilën unë e disponoj me të gjitha dokumentet që m’i ka dhënë ky shtet, vjen si pasojë e xhelozisë, që kanë linja të tilla në Greqi.

Ku janë këto linja?

Janë tetë fabrika të tilla në të gjithë Greqinë veriore, që kanë zili dhe frikë nga prodhimi im. Ato janë në Janinë, Igumenicë, Korfuz deri në Prevezë që me politikat e tyre kanë ndikuar në strukturat e larta shtetërore të vendit tonë për shkatërrimin e biznesit tim. Që nga momenti i fillimit, unë kam investuar këtu pesë milionë dollarë.

Sa është prodhimi që ju eksportoni gjatë një muaji?

Gjatë një periudhe njëmujore, unë eksportoj më shumë se 5 mijë metra kub lëndë inerte në Greqi dhe Itali. Prodhimi i linjës time, me një kosto disa herë më të ulët nga fqinjët tanë, i ka tërbuar biznesmenët e Greqisë dhe të Italisë, gjë e cila po pasqyrohet me egërsinë e policisë shqiptare.

A keni marrë njoftim për fillimin e aksionit?

Jo, deri pak përpara aksionit, nuk dija asgjë për këtë batërdi.

Pasi kishte nisur prishja, më erdhi një urdhër nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Ndërtimore, e cila kërkon, nëpërmjet këtij urdhri, ta kthejë në gjendjen e mëparshme objektin. Nuk e kuptoj pse nuk më kanë dhënë kohë që të reagoj dhe unë për këtë gjë, pasi hapësirat ligjore me lejojnë që të ankohem në organe të ndryshme shtetërore, për të marrë të drejtën që po ky shtet ma ka dhënë. Me këtë veprim, Fatos Nano do të marrë 200 vota në lagjen e peshkimit të Sarandës, me pretendimin e ndotjes së ambientit. Dua të theksoj se, biznesi grek në bashkëpunim me qeverinë shqiptare po shkatërrojnë një biznes shqiptar i ngritur me djersë dhe mund që prej vitit 1987. Ata kanë përdorur banorët e lagjes, për t’u hedhur kundër meje dhe ja kanë arritur qëllimit me këtë djallëzi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›