E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikuan në bashkëpunim, dënohen me 32 vite burg

05/05/2005  TIRANË – Gjykata deklaroi fajtor dje dy të pandehurit Agim Kabashi dhe Kreshnik Mazreku, akuzuar për veprën penale të trafikimit të femrave për prostitucion. Masa e dënimit për të pandehurit, sipas gjykatës, është në varësi të rrezikshmërisë shoqërore dhe të pozicionit në vepër. Për Kabashin, gjykata vendosi dënimin me 15 vite burg dhe për Mazrekun 17 vite. Gjykata deklaroi dje se e dëmtuara Rrahime Isaku, edhe pse është trafikuar nga të pandehurit në bashkëpunim dhe ka bërë kallëzim penal ndaj tyre, u përpoq të mbajë tjetër qëndrim. Kundër të pandehurve, vajza ka bërë kallëzim nga Anglia, atje ku i pandehuri Kabashi e trafikoi, duke i marrë të gjitha paratë e punës. Kështu ndodh gjithmonë. Vajzat e trafikuara bëjnë kallëzimin në polici. Fillimisht gjithçka e shkruajnë me dorën e tyre, por më pas pendohen, është shprehur gjykata në vendim. Kundër të pandehurve gjykata rreshtoi disa prova si shkresore, ashtu edhe dëshmi të dhëna në sallën e gjyqit, të cilat u paraqitën nga ana e akuzës. Pasi është trafikuar nga të pandehurit, vajza e dëmtuar ka bërë martesë fiktive me Kabashin. Pothuajse në të gjitha seancat kundër tutorëve, këta të fundit e bëjnë martesën të detyruar për t'i shpëtuar prangave dhe burgut të gjatë. Një gjë e tillë ka ndodhur me të dëmtuarën Rrahime Isaku, nga Durrësi. Që prej katër vjetësh është larguar për në Angli së bashku me të pandehurin Agim Kabashi. Dërgon prej andej një padi kundër Kabashit, duke deklaruar se po punonte si prostitutë në favor të tij. Në fund të padisë ishte një shkrim dore. Por pas disa kohësh, vajza e dëmtuar pranon të martohet me tutorin e saj dhe deklaron se ka edhe një djalë me të. Për të shpëtuar tutorin nga burgu, paraqitet për të dëshmuar. Nuk pranon të ketë bërë asnjë kallëzim. Është shprehur se shkrimi në padi nuk është bërë prej saj dhe se me Agim Kabashin është e martuar në Angli. Pretendon se ka ikur para katër vitesh dhe ka bashkëjetuar me të, ndërsa tani është martuar. Nuk pranon të jetë trafikuar si prostitutë. Në këto kushte, gjykata me kërkesë të prokurorit Olsjan Çela, vendosi të kryente aktin e ekspertimit grafik të shkrimit që gjendet në padi. Të pandehurit, tha akuza, kanë trafikuar për qëllime përfitime edhe shtetasen Flogerta Kovaçi. Për këtë vajzë të dëmtuar kanë dëshmuar familjarët e saj, të cilët kanë akuzuar Kreshnik Mazrekun.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›