Dy familje në gjak, pajtohen ditën e Pashkës së madhe
Familja Kasneci dhe Deda ishin në gjak, për shkak të një aksidenti të ndodhur tre vjet më parë
SHKODËR Një konflikt gati tre vjeçar, mes dy familjeve me banim në fshatin Grudë e Re të komunës Rrethina në Shkodër, është mbyllur me rastin e festës së pashkëve. Dy familjet, Kasneci dhe Deda, që ndodheshin në hasmëri që prej 21 nëntorit 2008, i kanë shtrirë dorën e pajtimit njëra-tjetrës duke i dhënë fund hasmërisë. Pajtimi është deklaruar gjatë ceremonisë së meshës së shenjtë, të zhvilluar në fshatin Grudë e Re të Shkodrës. Prifti i Kishës së Grudës, Xhovani Kolombo ka bërë të ditur gjatë meshës pajtimin e këtyre dy familjeve, duke e cilësuar si një ngjarje shumë të rëndësishme, në një ditë të shenjtë siç është festa e Pashkëve. “Krishti u ngjall nga vdekja, po kështu edhe komuniteti jonë, përmes pajtimit të këtyre dy familjeve. Sot me të vërtetë jeta ka fituar mbi vdekjen. Kemi pasur një shembull konkret në fillimin e së nesërmes. Për këto lloj shembujsh kemi nevojë në jetën tonë”, - u shpreh prifti, i cili ka qenë prej disa kohësh negociator në arritjen e këtij pajtimi. Hasmëria mes dy familjeve ka nisur më 20 nëntor 2008, kur Kolec Deda 44 vjeç, me banim në fshatin Grudë të komunës Rrethina në Shkodër, ka aksidentuar rëndë 64-vjeçarin Mhill Kasneci, lindur në Kasnec në Kir të Dukagjinit dhe banues në Grudë të Re. Aksidenti ka ndodhur në aksin Shkodër- Grudë, në një rrugë dytësore, ku mungon ndriçimi dhe Kolec Deda lëvizte me një motoçikletë tip Yamaha pa targa, ndërsa i dëmtuari Mhill Kasneci lëvizte me biçikletë. Si pasojë e aksidentit, 64-vjeçari Kasneci ka marrë dëmtime të shumta trupore dhe ka gjetur vdekjen në spitalin e Shkodrës. Por ajo që ka sjellë hasmërinë mes dy familjeve ka qenë fakti se 44-vjeçari Kolec Deda, pasi ka aksidentuar Mhill Kasnecin është larguar nga vendi i aksidentit pa i dhënë atij ndihmën e duhur, dhe kjo mendohej se ka ndikuar në pamundësinë për të mbijetuar të 64-vjeçarit. Autori i aksidentit është ndaluar nga policia, ndërsa familjet ishin në hasmëri, ku fillimisht të ngujuar kanë qenë 47 persona, më pas disa prej tyre u liruan dhe ngujimi i kufizua tek familja e autorit të aksidentit, së cilës i jepej besa herë pas here. Tentativat e ndryshme për pajtim të konfliktit mes këtyre dy familjeve janë konkretizuar për pashkët e këtij viti. Pajtimi është shoqëruar dhe me ritualin përkatës të darkës te familja Deda. D.K.