E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplaset me shtyllën vdes në aksident 18-vjeçari

SHKODËR Kanë qenë duke shkuar për vizita tek të afërm për festë, por humbja e kontrollit të mjetit dhe përplasja me një shtyllë tensioni ka shkaktuar vdekjen e një 18- vjeçari dhe plagosjen e rëndë të katër personave të tjerë që ndodheshin në mjet. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 21:45 të së dielës në aksin rrugor Golem – Stom Golem, në komunën Rrethina në Shkodër. Pesë të rinj kanë qenë duke lëvizur drejt Stom Golemit, me një mjet tip BMV me targa SH 4395 D, që drejtohej nga 18-vjeçari Gjokë Pepaj, me banim në lagjen ”Skenderbeg” në Shkodër. Sipas policisë, drejtuesi i mjetit ka qenë duke ecur me shpejtësi të madhe dhe ka humbur drejtimin e tij, duke u përplasur me një shtyllë tensioni. Si pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasi Tom Pjolli, 18 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg” Shkodër, i cili ka qenë pasagjer në këtë mjet, ndërsa janë plagosur rëndë vëllai i tij 19-vjeçar Gjokë Pjolli, shtetasit Armando Gjergji 20 vjeç dhe Anton Gjergji 19 vjeç, vëllezër, si dhe drejtuesi i mjetit Gjokë Pepaj. Të dëmtuarit janë dërguar në spital, ku ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa është bërë ndalimi në spital i drejtuesit të mjetit, i cili vazhdon të jetë në gjendje kritike për jetën. D.K.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›