Kapet durrsaku me drogë që kishte destinacion Italinë
DURRËS Strukturat e policisë kufitare në Durrës kanë zbuluar një sasi prej 1.5kg vaj cannabis sativa, një vaj i cilësisë shumë të lartë që mund të përdoret për qëllime të ndryshme. Sasia e vajit cannabis sativa është zbuluar në një automjet me targa të huaja, i cili ishte bërë gati për të hipur në një nga tragetet e linjës Durrës-Bari. Burime të policisë kufitare kanë bërë të ditur se në autoveturën tip Audi A4 me targa BR 935 BA, e cila drejtohej nga 20-vjeçari Kristjan Malindi, u gjet e fshehur sasia e këtij vaji si dhe një sasi prej 9.2gram lëndë narkotike e llojit kokainë. Të njëjtat burime kanë shtuar se gjatë kontrollit në pikën antidrogë të portit u gjetën 1kg e 513gram vaj si dhe sasia e kokainës e ndarë në disa doza. Policia ka pasur informacione për ekzistencën e lëndëve narkotike në këtë mjet, ndërsa menjëherë pas kontrollit informacionet kanë rezultuar të sakta. Sapo është zbuluar lënda e ndaluar, 20-vjeçari Kristjan Malindi, i cili banon në qytetin e Tiranës, është ndaluar nën akuzën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Ka qenë ora 02.10 e mëngjesit të djeshëm kur policia i ka komunikuar 20-vjeçarit ndalimin e tij për akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. Pak ditë më parë struktura e Antidrogës në drejtorinë e policisë së qarkut Durrës ka bllokuar një sasi prej gjysmë kilogrami lëndë narkotike të llojit kokainë, ndërkohë që ka vënë në pranga tre persona për këtë ngjarje. Në bashkëpunim edhe me efektivat policore të qytetit të Vlorës, ditën e djeshme në qendër të qytetit të Vlorës është bërë bllokimi i mjetit ku gjendej droga si dhe arrestimi i tre personave. Burime zyrtare të policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një sasi prej 508.45gram lëndë narkotike që dyshohet se është kokainë. Ka qenë operacioni i koduar me emrin “Vija e bregdetit” që është kryer në qytetin e Vlorës, por që ai është marrë përsipër nga struktura e antidrogës në Durrës. Personat e arrestuar për këtë ngjarje janë Edison Sulejmani, 26 vjec, banues në Durrës; Enea Sulaj, 21 vjeç, banues në Vlorë; si dhe Gëzim Bardhaj, 42 vjeç, edhe ky banor i Vlorës.
Aleks Kalemasi