E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy fëmijë humbasin jetën si shkak i komplikacioneve nga gripi

Gjirokastër-Gjatë ditëve të fundit, 2 fëmijë nga Gjirokastra kanë humbur jetën si shkak i komplikacioneve shëndetësore të krijuara nga gripi stinor. Lajmi konfirmohet nga mjekët e spitalit të Gjirokastrës. Sipas mjekëve pediatër, dy fëmijë të moshës 0-2 vjeç kanë humbur jetën si shkak i komplikacioneve të gripit stinor. “Të dy fëmijët janë paraqitur në spitalin tonë në gjendje të rënduar shëndetësore të krijuar nga virusi i gripit stinor”, thonë mjekët pediatër. Problematike për gjendjen e tyre mjekësore ka qenë temperatura e lartë, kur me gjithë ndërhyrjen e mjekëve ata janë prekur nga meningjiti. Si shkak i situatës së rënduar shëndetësore të dy fëmijët janë çuar për një ndihmë më të specializuar mjekësore në Tiranë, por sërish si shkak i komplikacioneve të rënda nuk kanë mundur të mbijetojnë. Në këtë situatë mjekët këshillojnë marrjen e masave parandaluese karshi grupit stinor kryesisht tek fëmijët e vegjël dhe të moshuarit. Sipas bluzave të bardha në urgjencën e spitalit të Gjirokastrës, brenda një dite paraqiten 30-40 persona për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Pjesa më e madhe e tyre janë pacientë që kanë probleme respiratore. B.Sh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›