E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e volejbollistit, arrestohen mjekët nuk u kujdesën

Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë “burg” për mjekët Dalip Çela dhe Nuri Qyra, të dy të akuzuar për mjekim të pakujdesshëm të volejbollistit të Teutës, Juxhin Guza, i cili humbi jetën në spital dy muaj më parë, pasi ishte plagosur me thikë

Durrës-Akuzohen se kanë lënë të vdesë duke mos i dhënë ndihmën e duhur 25-vjeçarin Juxhin Guza, volejbollist i Teutës, arrestohen dy mjekë të spitalit të Durrësit. Ndalimi i mjekëve është bërë menjëherë pasi Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë “burg” për Dalip Çelën dhe Nuri Qyrën, të dy të akuzuar për mjekim të pakujdesshëm të volejbollistit Juxhin Guza, i cili humbi jetën në spital dy muaj më parë, pasi ishte goditur me thikë.

Hetimi

Policia e Durrësit bëri të ditur se mjekët akuzohen për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm”, duke i shkaktuar vdekjen volejbollistit Juxhin Guza. Ky i fundit ishte goditur me thikë nga grabitës ende të paidentifikuar, por hetimet kanë zbuluar se plagët nuk kanë qenë vdekjeprurëse dhe vdekja ka ardhur si pasojë e mosndërhyrjes nga ana e mjekëve në spital. “Gjykata e Rrethit Durrës përcaktoi masën e sigurimit personal “arrest në burg” ndaj dy mjekëve Dalip Çela, 54 vjeç, banues në Durrës, mjek kirurg pranë Spitalit Rajonal Durrës dhe Nuri Qyra, 51 vjeç, banues në Durrës, mjek reanimator pranë Spitalit Rajonal Durrës”, - bëri të ditur zëdhënësja e policisë. Policia dhe prokuroria që kanë hetuar ngjarjen, i akuzojnë mjekët se nuk kanë qenë mjaftueshëm të kujdesshëm, ndërsa sipas tyre, plagët që volejbollisti ka marrë nga thika e personave ende të paidentifikuar nuk kanë qenë aq të rënda sa të sillnin vdekjen e tij. Ndërkohë, policia e Durrësit vijon hetimet për identifikimin e autorëve të ngjarjes, duke lënë në dispozicion të personave që kanë informacione të sakta mbi autorësinë e saj shumën prej 30 mijë eurosh. “Me qëllim garantimin e anonimatit, këto informacione mund t’u besohen drejtuesve të Policisë së Qarkut Durrës në numrat 0694102987 dhe 0694102733”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ngjarja

25-vjeçari Juxhin Guza humbi jetën në spital më 13 shtator, pasi u qëllua me thikë nga persona të panjohur në hyrje të pallatit të tij. I riu u qëllua tri herë me thikë në trup nga këta persona. Policia e Durrësit bëri të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:30 të mëngjesit të 13 shtatorit, në hyrje të pallatit të të riut, në lagjen 5 të qytetit të Durrësit. Siç mësohet nga dëshmitë e dhëna paraprakisht mbi këtë ngjarje të rëndë, sportisti i Teutës sapo kishte përcjellë të motrën në shtëpi, edhe ajo sportiste e njohur, pjesë e skuadrës së volejbollit për femra në Durrës, pas kësaj ai është larguar për te një lokal të cilin e menaxhonte. Ai kthehej në shtëpi pas mesnate. Rreth orës 01:30, ai sapo kishte arritur në hyrje të pallatit të tij, kur i kanë dalë para disa persona. Sipas policisë, autorët (dy ose tre të tillë), të cilët dyshohet se i kishin zënë pritë, janë përleshur me të. Ndonëse shtatlartë dhe i fuqishëm, 24-vjeçari e ka pasur të pamundur të mbrohet, për shkak të sulmit të papritur. Ai është qëlluar nga njëri prej autorëve tri herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, ku më e thella ka qenë ajo në pjesën e kofshës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›