Eksperienca, shkolla më e mirë
Gardian është një fjalë që tingëllon disi e ashpër, për vetë profesionin që përfaqëson. Si për ta zbutur disi, në fjalorin e sotëm tani ata i quajnë punonjës të policisë së burgjeve. E, megjithatë, detyra e tyre e vështirë nuk ka ndryshuar, përkundrazi tani u duhet të jenë edhe më të kujdesshëm, pasi njohja dhe respektimi i të drejtave të të burgosurve është bërë po aq i domosdoshëm sa detyra për sigurimin e regjimit të burgjeve.
Pak kilometra në të dalë të kryeqytetit, brenda rrethimit të Burgut të Vaqarit është edhe një shkollë, për të cilën pak është dëgjuar të flitet apo të shkruhet. Quhet Shkolla e Policisë së Burgjeve dhe aktualisht ka si objektiv trajnimin e personelit të punonjësve që shërbejnë në institucionet shqiptare të riedukimit. Godina njëkatëshe, që në pamje të parë duket mjaft modeste, ka brenda saj disa klasa, ku mund të ndjekin leksionet grupe deri në 20 persona. Ajo është e pajisur me dhoma fjetjeje dhe kuzhinë që siguron ushqimin për kursantët, që në pjesën më të madhe vijnë nga rrethe të ndryshme të vendit. "Godina e shkollës është vendosur brenda rrethimit të Burgut të Vaqarit, për t‘i shërbyer sa më mirë anës praktike të kurseve", thotë Tomor Stefaj, drejtori i shkollës. Kursantët, të gjithë elementët policorë dhe ligjorë që mësojnë në kurse i praktikojnë në ambientet e burgut, duke i bërë leksionet sa më efikase.
Kursantët
Tomor Trimi punon si polic në Drejtorinë e Burgjeve që prej 8 vjetësh. "Kam provuar shumë gjatë këtyre viteve të punës në burgje", nis të flasë ai me një lloj droje, që duket se ia shkakton fakti se po flet me një gazetar. Pedagogët thonë se ai është nga policët me rezultatet më të larta gjatë kursit të fundit. Shprehet mjaft optimist kur e pyet për njohuritë që ka marrë gjatë këtyre dy javëve, por, gjithsesi, mezi arrin të çlirohet nga droja kur e pyesin se sa do të jetë në gjendje t‘i zbatojë në praktikën e punës së tij këto njohuri: "Patjetër që do përpiqem t‘i zbatoj të gjitha, por puna jonë nuk është e lehtë. Ne kemi në ruajtje dhoma burgu, që kanë deri në 14 apo 15 të dënuar brenda. Njëri bën zhurmë e të tjerët duan qetësi, njëri pi duhan, të tjerët nuk e durojnë dot, njëri fle vonë e të tjerët më herët... Krijohen situata që as këto broshurat që ne kemi mësuar këtu nuk i parashikojnë dot". Alush Braho, një tjetër kursant, është më i prerë. Me stilin tipik të një punonjësi policie ai flet gjithë bindje se njohuritë që ka marrë këtu jo vetëm që do t‘i zbatojë në punën e tij, por madje dhe do të ndikojnë shumë "në rritjen e cilësisë së punës". Alushi, që ka vetëm një vit që punon si polic në Burgun e Peqinit, nuk i shmanget stilit të prerë të të folurit, as kur përpiqesh ta ngacmosh për hallet dhe problemet e tij. "Kushtet e punës dhe rrogën i dija që kur pranova të punoja këtu", ta pret ai shkurt. Më ndryshe duket Tomori. "Nuk është e lehtë të jesh polic burgjesh. Ne trajnohemi dhe kujdesemi për të drejtat e të burgosurve, po sigurisht që kemi nevojë që dikush të kujdeset edhe për të drejtat tona. Ja ne për shembull nuk kemi një status të caktuar, kemi probleme me dietat, me ushqimin, madje edhe me uniformat e shërbimit, që duhet të na jepen", thotë ai. Gjithsesi ai shprehet i bindur se problemet nuk mund të justifikojnë në asnjë mënyrë moskryerjen e detyrës, apo më keq akoma shkeljen e ligjit gjatë kryerjes së detyrës.
Pedagogët
Beqir Metani dhe Ilir Poçi janë specialistë policie dhe në Shkollën e Policisë së Burgjeve kanë rolin e pedagogëve të anës policore. Me një karrierë të gjatë në sistemin e burgjeve, ata u mësojnë kursantëve njohjen e armatimit, rregullat e marrjes dhe dorëzimit të shërbimit, mënyrat e kontrollit për të parandaluar futjen e sendeve të ndaluara në burg, kontrollin e dhomave të të burgosurve, e mjaft elementë të tjerë policorë. "Ne u mësojmë anën policore, atë që mund të konsiderohet pjesa e fortë e ligjit, por më i rëndësishëm sigurisht që është komunikimi", thotë Beqiri, për të cilin arma është më mirë të mos përdoret fare në burg. "Arma më e fuqishme është gjuha, komunikimi me të burgosurin, i cili në çdo moment duhet trajtuar si njeri me të drejtat e tij", vazhdon polici më flokë të bardha dhe një pamje prej babaxhani. Bashkë me Ilirin ata kanë trajnuar një numër të madhe policësh dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe në të ardhmen, por, megjithatë, duket sikur vihen pak në siklet kur i pyet se sa prej të trajnuarve janë ende në punë. Babaxhani është më i vendosur në mendimet e tij: "Eksperienca në punë është shkolla më e mirë, por në rastin e policisë së burgjeve eksperienca merr një vlerë edhe më të madhe, që zor se e gjen kollaj".
Historia
Në 11 vjet,
2000 punonjës
të trajnuar
Shkolla e Policisë së Burgjeve është hapur që në vitin 1997, fillimisht si një qendër trajnimesh. Në fillimet e saj, struktura organike ishte e përbërë prej 7 vetash (4 punonjës policie dhe 3 civilë). Kjo strukturë u plotësua në vitin 2001, kur shkolla filloi të funksiononte në godinën e saj të re, pranë Burgut të Vaqarit. Gjatë gjithë kësaj periudhe të funksionimit të saj në këtë shkollë janë trajnuar një pjesë e konsiderueshme e punonjësve të policisë së burgjeve, rreth 2000 punonjës. Lëndët bazë që zhvillohen këtu janë "Të drejtat e njeriut dhe rregullat evropiane të burgut", Ligjshmëri, Sociologji, Psikologji, Kriminologji, Penologji, Përgatitje Tekniko-Profesionale, si dhe Shëndetësi. Ato i përshtaten llojit të programit që zhvillohet dhe nivelit të punonjësve.
Intervista
Drejtori Tomor Stefaj tregon planet për ndryshimin e formatit të shkollës
"Policët që nuk kalojnë kurset
rrezikojnë vendin e punës"
Në modelin e ri të shkollës, përveç stafit aktual do të aktivizojmë edhe pedagogë të jashtëm
Cili është objektivi i Shkollës së Policisë së Burgjeve dhe aktiviteti që ajo ka aktualisht?
Kjo shkollë ka si qëllim trajnimin dhe ngritjen profesionale të të gjithë punonjësve të policisë që shërbejnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Këta punonjës këtu kualifikohen si në drejtim të rritjes së cilësisë së punës së tyre për rritjen e sigurisë në sistemin e burgjeve, por edhe në drejtim të njohjes së vazhdueshme me detyrimet ligjore për respektimin e të drejtave të të burgosurve. Lënda mësimore, veçanërisht për njohjen e legjislacionit dhe konventave ndërkombëtare, është marrë nga materialet e Këshillit të Evropës, që në pjesën më të madhe janë të përshtatura për formatin e shkollës nga partnerët tanë vendas, siç është Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Sa zgjasin kurset dhe çfarë trajtohet në to?
Kurset në këtë moment zgjasin 2 javë. Po punohet që kohëzgjatja e tyre të shkojë në 21 ditë deri në 1 muaj dhe besojmë se kjo do të realizohet së shpejti. Kjo zgjatje e kohës së kurseve sigurisht që do të shoqërohet më shtimin e materialeve mësimore që do t‘u jepen kursantëve, por edhe praktikës që ata do të bëjnë këtu. Programi i kurseve është i ndarë në drejtime. Në pjesën teorike, ku kursantët marrin njohuri lidhur me legjislacionin dhe detyrimeve të tyre ligjore dhe në pjesën policore, ku ata stërviten për çështjet teknike, siç është përdorimi i armës, kryerja e kontrolleve për sendet e ndaluara që mund të hyjnë në burgje, menaxhimi i situatave të vështira që mund të krijohen, etj.
Sa mendoni se janë efikase trajnimet që kryhen dhe a kanë mundësi punonjësit e burgjeve që t‘i zbatojnë njohuritë që marrin këtu, në praktikën e punës së tyre të përditshme?
Nga sa kemi vërejtur pas përfundimit të kurseve, punonjësit e policisë kanë arritur që njohuritë e marra në këtë shkollë t‘i zbatojnë në punën e tyre të përditshme, në institucionet e riedukimit. Megjithatë, të përkryer nuk janë, sepse varet edhe nga kapaciteti i çdo punonjësi që trajnohet. Ka prej tyre që me të vërtetë edhe gjatë kursit janë të përkushtuar dhe rigorozë në ndjekjen e mësimeve, ashtu siç ka edhe punonjës që kanë vështirësi. Kjo diferencë sigurisht që do të pasqyrohet më pas edhe gjatë punës së tyre. Por e rëndësishme është që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve u ka bërë të qartë punonjësve që nëse ata nuk kualifikohen në këtë shkollë rrezikojnë deri edhe vendin e punës. Mendoj se pavarësisht ndonjë mangësie, e përgjithshmja është pozitive dhe shkolla është efikase.
Cilat janë planet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për këtë shkollë? Do të ngelet në këto nivele, apo është parashikuar ndonjë ndryshim?
Për të ardhmen është parashikuar që shkolla të ngrihet në një nivel më të lartë, me një staf më të zgjeruar dhe sigurisht me një program mësimor shumë më të zgjeruar. Propozimi për këtë gjë ka shkuar tashmë në Ministrinë e Drejtësisë dhe pritet miratimi. Mendohet se në modelin e ri të shkollës, përveç stafit të pedagogëve të brendshëm, ne do të aktivizojmë edhe pedagogë të jashtëm, kryesisht ekspertë të njohur të fushave të caktuara si jurisprudenca apo fusha të tjera të nevojshme në punën e policëve të burgjeve.