E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria e Korçës: Hetim 9 vetëvrasjeve

Depresioni nuk është më vetëm problem i mjekëve dhe shëndetësisë në Korçë. Ndërsa shumë persona depresivë kanë tentuar të kryejnë vrasje, duke paraqitur rrezikshmëri shoqërore të lartë, ajo që së fundi po alarmon juglindjen e vendit nuk janë më kanosjet nga depresivët, por vetëvrasjet e shumta të tyre, që po arrijnë në shifra të jashtëzakonshme. Shtimi i numrit të vetëvrasjeve, madje edhe te moshat e vogla, ka vënë para dilemës edhe organin hetimor. Prokuroria e Korçës ka nën hetim të paktën 9 raste të vetëvrasjeve të shënuara së fundi, të cilat kanë mbetur të pazbardhura për sa u përket motiveve. Pjesa më e madhe e vetëvrasjeve, siç bëhet e ditur nga ana e organit të prokurorisë së rrethit, kanë mbetur me motive të pazbardhura dhe të paqarta, edhe pse mendohet se kanë qenë depresionet momentale që kanë nxitur personat drejt vetëflijimit. Ndërsa pak muaj më parë, shtimi i tepërt i vetëvrasjeve në zonën juglindore të vendit vuri në alarm mjekët, kur bluzat e bardha, për shkak të numrit tepër të madh të personave me probleme të shëndetit mendor, vendosën të hapin në qytet edhe një qendër për trajtimin e parë të këtyre sëmundjeve. Duket se situata është rënduar sërish, kur vetëm në dy muajt e parë të vitit, i kanë dhënë fund jetës plot 9 persona, mes të cilëve dy nëna dhe dy fëmijë të moshave 16 dhe 17 vjeç. Sipas të dhënave nga ana e prokurorisë, rastet kanë qenë kryesisht në zona rurale, por fakti se në moshat e mitura ka mbetur i pazbardhur motivi i vetëflijimit ka bërë që një pjesë e dosjeve të jenë ende të hapura dhe në proces hetimi, në kushte kur vetëm në një rast vetëvrasjeje personi ka shfaqur më parë probleme të shëndetit mendor, ndërsa të tjerat mbajnë mbi supe misterin, edhe pse kanë marrë një cilësim për gjendje depresive të shkaktuara në rrethana të paqarta. Nga ana tjetër, sipas Policisë së Korçës konfirmohet zyrtarisht se vetëm në muajin shkurt në zonën e Korçës janë shënuar 6 vetëvrasje, që tregon se më shumë se një person në javë ka gjetur vdekjen si pasojë e vetëflijimit. Dy gra i kanë dhënë fund jetës, njëra e vetëhelmuar dhe shtatzënë dhe një tjetër me varje në litar në banesë. Por ky problem nuk ka lënë pa prekur as moshat e reja. Të paktën katër persona janë vetëvarur në litar për motive që kanë mbetur enigmë për policinë dhe prokurorinë. Edhe pse këto argumentohen më shumë me gjendjet depresive momentale, duket se fenomeni po shkon çdo ditë drejt përkeqësimit. Nga të dhënat statistikore të Prokurorisë së Korçës mësohet se vitin e kaluar nga zona e Korçës janë vetëflijuar 23 persona, raste të hetuara edhe nga ana e këtij institucioni, ndërsa nga policia shifrat e tentativave janë edhe më të mëdha, bashkë me ato të kanosjeve dhe plagosjeve me bazë gjendjet depresive. Por, ndërsa një vit më parë u shënuan 23 vetëvrasje, një shifër e lartë kjo që e ka renditur juglindjen e vendit si zonën më të nxehtë dhe problematike në këtë drejtim, më keq akoma paraqitet situata këtë vit, kur vetëm në dy muaj janë regjistruar plot 9 raste të vetëvrasjeve. Sipas mjekëve, pesë në 100 persona në zonën juglindore dhe kryesisht në zonat rurale vuajnë nga depresioni dhe problemet me shëndetin mendor. Kjo shifër e dhënë disa muaj më parë, që e caktoi Korçën si zonën me më shumë të sëmurë mendorë dhe të prekur nga depresionet, çoi në hapjen e një qendre rehabilitimi. Por vetëm në gradat e larta të sëmundshmërisë njerëzit u drejtohen mjekëve, ndërsa në asnjë rast nuk është konstatuar deri më tani konsulta paraprake me psikologun. Nga ana tjetër, rastet që edhe për organin e prokurorisë kanë mbetur me motive të paqarta dhe janë ende në dosje të hapura kanë qenë vetëvarja në litar e një 16-vjeçari në fshatin Symiz, vetëvarja në litar e një gruaje në Vlocisht, vetëhelmimi i një gruaje shtatzënë, vetëvrasja e një pedagogu në qytet, e kështu me radhë, të cilat mendohen se kanë pasur si shkak të parë gjendjet e depresionit momental, por pa u konfirmuar zyrtarisht me një motiv të qartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›