E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarët e patentave të filmuar, duke marrë ryshfet

Tre zyrtarët e patentave, të arrestuar dy ditë më parë në Tiranë janë filmuar duke marrë ryshfet. Njësia antikorrupsion në akuzën e kryeqytetit tha dje se hetimi për operacionin "Gërshërët e ligjit" filloi në muajin janar të këtij viti, pas denoncimit të një qytetari. Të dyshuarit, për një periudhë tremujore, janë mbajtur nën vëzhgim. "Pas denoncimit, rasti në fjalë është kopsitur dhe gjatë hetimeve kanë dalë dhjetëra raste të tjera, ku të arrestuarit kanë marrë dokumente të qytetarëve të ndryshëm kundrejt të hollave", thanë burimet nga policia, të cilat saktësojnë se patentë merrnin personat që paguanin, ndërsa ata që nuk paguanin nuk fitonin. Mësohet se zyrtarët e patentave janë arrestuar duke ngrënë drekë, pas marrjes së lekëve nga i infiltruari i prokurorisë. "Prova më të forta që sollën arrestimin e zyrtarëve janë përgjimet, ndërsa ka pamje filmike dhe fotografi. Për çdo kursant, përveç pagesës 30 mijë lekë, merrnin edhe 35 mijë lekë të tjera në formën e ryshfeteve", thanë hetuesit e çështjes.

Hetimet pas "Fiks Fare"

Prokuroria e Tiranës tha dje se hetimet për zyrtarët e patentave kanë filluar edhe pas një indicie të marrë nga emisioni investigativ "Fiks Fare" në "Top Channel". Disa zyrtarë të patentave kanë lëshuar një dëshmi për drejtim automjeti me emrin e themeluesit së Tiranës, Sulejman Pasha. Gazetari ka arritur, kundrejt një pagese, të marrë patentën e rregullt. Fiksi ka arritur të pajisë me patentë ndërkombëtare edhe ish-kampionin e botës në Formula 1, Fernando Alonso. Nxjerrja e këtyre patentave ishte mjaft e thjeshtë. Gazetarët e "Fiksit" shkuan në disa autoshkolla. Në njërën prej tyre gjetën edhe një sekser, i cili merrte përsipër nxjerrjen e patentave për drejtim makine pa u paraqitur fare në provim dhe pa bërë asnjë ditë kurs. Gjatë bisedës me sekserin, u mësuan edhe çmimet e tregut, kuptohet me pagesa që bëhen nën dorë. 70 mijë lekë të reja kushton nxjerrja e një patente për një person, i cili nuk bën asnjë ditë kurs, por duhet të paraqitet në provim. Paraqitja në provim është sa për sy e faqe, sepse çfarëdo që të shkruajë në fletën e provimit, patentën e ka të marrë. Por nëse preferon të mos paraqitet fare në kurs, i duhet të paguajë më shumë për të marrë patentën. Dhe për këtë nevojiten 100 mijë lekë të reja.

"Gërshërët e ligjit"

Operacioni i koduar "Gërshërët e ligjit" realizoi arrestimin në flagrancë të 5 personave. Sipas policisë, këta persona akuzohen për "korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike", "korrupsion pasiv dhe aktiv në sektorin privat" etj. "Konkretisht, në prangat e policisë përfunduan dy anëtarë të komisionit të marrjes në prova për leje drejtimi mjeti, pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, një pronar autoshkollash dhe dy instruktorë teorie e praktike pranë autoshkollave", deklaroi policia e kryeqytetit. Sipas tyre, dy anëtarët e komisionit janë Emiljano Kahu dhe Sokol Breca. Ndërkohë, të arrestuarit Jonus Meshi dhe Qazim Hoxha ishin me detyrë instruktorë teorie dhe praktike pranë autoshkollës "Univers-Vip". Gjithashtu, policia arrestoi edhe Kadri Dajçin, me detyrë punonjës policie në sektorin e rendit dhe sigurisë publike në Drejtorinë e Policisë Tiranë, i cili ishte bashkëpronar në autoshkollën "Univers-Vip".

Precedenti

Prokuroria dërgoi në gjykatë tri autoshkolla

"Fiks Fare" filmoi falsifikimet e "Majestik, "Selimi" dhe "Nokia"

Tri autoshkolla, të cilat operonin aktivitetin e tyre duke bërë falsifikime të ndryshme, kanë shkuar në gjykatë. Prokuroria e Tiranës, pasi ka shqyrtuar materialin dhe bërë hetimet përkatëse, ka nisur kërkesën për gjykim për autoshkollat "Majestik", "Nokia" dhe "Selimi". Të tri këto autoshkolla janë hetuar, falë punës investigative të gazetarëve të emisionit "Fiks Fare" në "Top Channel". Sipas prokurorisë, tri autoshkollat janë hetuar për veprën penale të korrupsionit pasiv në sektorin privat, parashikuar nga neni 164 i Kodit. Gjithçka ka nisur kur gazetarët e "Fiks Fare" siguruan prova të falsifikimeve që bënin drejtuesit e këtyre autoshkollave. Ata jepnin dëshminë e aftësisë për drejtim të automjeteve edhe personave që nuk bënin fare një kurs të tillë autoshkolle, duke iu siguruar edhe dokumente të falsifikuara. Ky skandal është bërë objekt i njëpasnjëshëm i emisionit "Fiks Fare". Ku pas saj reagoi Drejtoria e Transporteve, e cila pezulloi licencat e tri autoshkollave deri në zbardhjen e plotë të hetimeve. Prokuroria konstatoi elemente të veprës penale dhe pas hetimeve, dosjet ia kaloi gjykatës për të dhënë verdiktin përfundimtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›