Mirëqenie në letër...
Ka disa javë që publikut i ofrohen njoftime dhe të dhëna (periferike) nga raporte e studime të ndryshme, përmbajtja e të cilave citohet sipas orekseve politike. Në këto informacione, si rregull, vendi ynë zë gjithmonë vendin e parë; më e pakta, të dytin (!) Krahasimet bëhen me rajonin, me Evropën, madje edhe me Botën.
Disa të dhëna pozitive të Transparency International këto ditë, e inkurajuan qeverinë të ëndërrojë se mund të jetë “në vend të parë” edhe sa i takon luftës kundër korrupsionit. Pro klimës së inkurajimit, do të ishim të gjithë. Por problemi është se falë të dhënave periferike, qeverisësit e sotëm po përpiqen të krijojnë një panoramë rozë, ku Shqipëria veç lulëzon dhe endet nëpër rajon duke iu dhënë shembull të tjerëve, duke i lënë ata prapa në mosarritjet e tyre, e kështu me radhë. Duhet përshëndetur ngjitja e Shqipërisë në vendin e 85-të në klasifikimin që bën TIA. Por mund t’i kujtojmë publikut se Maqedonia renditet në vendin e 72-të, po aty edhe Bullgaria, në të 70-in Rumania, Kroacia ka merituar vendin e 62-të, për të mos folur për Sllovakinë (52, me notën 5), Hungarinë (47, me notën 5.1) dhe Slloveninë (26, me notën 6.7). Shifrat thonë qartë, pra, se në këtë fushë nuk jemi “të parët” e rajonit.
Shumë nga përparimet dhe, më së pari, ato që kanë lidhje me mirëqenien e qytetarëve të këtij vendi, janë ende virtuale. Pra, është cinike të agjitosh pareshtur se kemi lënë prapa gjithë rajonin, madje tani po përpiqemi të sfidojmë edhe Evropën... Duke e parandjerë se do të përgjigjen dikur për shumë nga premtimet e pambajtura, krerët e koalicionit qeverisës po mbahen fort pas disa të dhënave (herë-herë formale), që kanë të bëjnë me plotësimin e disa detyrimeve elementare; detyrime që po monitorohen rreptë nga partnerët. Duke u dhënë vetëm pas fjalëve të mira e inkurajuese, partizanët e “përparimit të paparë” e kanë lënë në hije njeriun, qytetarin, atë që do të duhej t’iu gëzohej këtyre “hapave gjigantë”. Realiteti (më e pakta ai rajonal), është disi më i larmishëm nga sa e shohin ata që tashmë kanë filluar fushatën elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Për të kuptuar diçka më shumë nga pamjet që ofron ky realitet i larmishëm, mund të marrim në sy të dhëna e informacione nga një sërë institucionesh. Le të themi se Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës, është një nga entet më serioze, që zhbirojnë në vazhdimësi zhvillimet ekonomike në shumë rajone të Botës. Midis të tjerave, ky institut sjell të dhëna të mjaftueshme edhe për vendet e Evropës Juglindore. Disa prej këtyre të dhënave, kanë të bëjnë, bie fjala, me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe, më tej, me atë që quhet Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë. Nuk duhet thënë se ky tregues është domosdoshmërisht më i rëndësishmi për të përcaktuar ecurinë ekonomike dhe pastaj mirëqenien e qytetarëve të një vendi.
Por gjithsesi, mbetet një tregues me shumë peshë, sa i takon gjendjes ekonomike reale, përfshirë edhe atë të qytetarëve, të përmbushjes së interesave të tyre, në kuptimin më të gjerë të fjalës. Sipas të dhënave të institucionit në fjalë, për vitin 2007, vendi ynë e ka PBB-në për frymë 5.370 Euro. (Disa nga këto të dhëna, gjenden edhe tek faqja e internetit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim). Edhe në këtë tregues, ne... s’jemi të parët. Shifra është mjaft konkurruese tek vendet e tjera të Evropës Juglindore, që ne (themi se) i lëmë prapa në lloj-lloj reformash, por para së gjithash në “PBB-në e fjalëve”. Kështu, po për vitin 2007, Bosnjë-Hercegovina e ka PBB-në për frymë 6.290 Euro; Maqedonia e ka 7.360, Serbia 8.660, Mali i Zi 9.040, Bullgaria 9.490, Rumania 10.000 dhe Kroacia 13.190 Euro.
Të bësh propagandë, mbase nuk është ndonjë mëkat. Nga ana tjetër, askush nuk mund të mburret se e ka të drejtën gjithmonë me vete apo se e mban të vërtetën në xhep. Por disa krahasime janë tejet të natyrshme. Bie fjala, ato që kanë të bëjnë me gjendjen e papunësisë dhe, pastaj, nivelet e pabarabarta të PBB-së dhe PBB-së për frymë. Është për t’u shënuar fakti që për një pjesë të vendeve që u zunë goje më lart, papunësia raportohet në shifra tepër të larta. E megjithatë, PBB-ja për frymë që ato kanë, konkurron dukshëm me shifrat tona të çuditshme; së paku, ajo e papunësisë: 13 për qind(!) Kështu, për Bosnjë-Hercegovinën, papunësia raportohet rreth 29 për qind; për Maqedoninë: 34.9 për qind, (me një ulje vetëm 2 për qind nga viti 2006); për Malin e Zi: 19.3 për qind dhe për Serbinë: 18.8 për qind. Mund të mendohet se një pjesë të madhe të mangësive e deficiteve, Shqipërisë ia mbulojnë të ardhurat nga emigrantët. Ca më tepër që shumë prej tyre, edhe investojnë në biznese të vogla, nganjëherë familjare, në blerje pasurish të patundshme, etj. Por në të njëjtën kohë, po ato burime që vlerësojnë të ardhurat e emigrantëve, konstatojnë edhe uljen e këtyre të ardhurave nga viti në vit.
Është e qartë se “lumturia” e shqiptarëve dhe progresi i vendit, po hiperbolizohen. Midis shpjegimeve të ndryshme në lidhje me këto nonsens-e, njëri, mbase edhe më i besueshmi, është ai i shpërndarjes së panikut; i panikut nga pasojat e ngjarjeve të rënda, si Gërdeci; i panikut nga mosmbajtja e premtimeve të fryra. Sot askush nuk mund të besojë që rritja ekonomike është dyshifrore, kur organizma më se të besueshme, si ato që u përmendën më lart, flasin për një rritje prej 6 për qind (për vitin 2007). Kujt i duhen hiperbolat me dyshifrorë, përveçse fushatës elektorale që po afron dhe që, me sa duket, do të jetë lumë e përrua, si gjithmonë.
Sot askush nuk mund të besojë dhe as nuk mund të shikojë që rrogat e arsimtarëve na qenkan rritur 75 për qind(!) Askush nuk mund të pranojë që edhe paratë e trafiqeve (si ai i armëve apo me pronat), janë bërë pajisje për spitalet, barna, asfalt apo... kanalizime. Mirëpo e keqja është ajo që vjen më pas: Nga gënjeshtra në gënjeshtër, sajuesi apo sajuesit e tyre, fillojnë e besojnë se është pikërisht kështu. Të parët në rajon, së shpejti edhe në Evropë... Por natyrisht, kjo nuk të ndihmon “Për me dijtë si me vozitë”, siç do të thoshte Fishta.