Rama në Buçimas: “Programi i PS-së, jo me premtime boshe por me objektiva të qartë”
Në kuadër të turit të prezantimit të programit të ri qeverisës së Partisë Socialiste, kreu i saj, Edi Rama, ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme takime në fshatin Buçimas të Pogradecit dhe në fshatin Hoçisht të rrethit të Korçës. Në këto takime Rama shoqërohej nga deputetët e PS-së, Ben Blushi, Pandeli Majko dhe Alfred Dalipi, si dhe nga anëtari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Rama tha se programi i ri i Partisë Socialiste nuk është me premtime boshe, por me objektiva të qartë qeverisëse. Ai tha se qeveria e re socialiste do të krijojë agjenci të biznesit agrar të cilat do të bëjnë që të ketë impute bujqësore të kontrolluara dhe evitimin e rasteve që prodhimet bujqësore të jenë të patregtueshme për shkak të farave apo pesticideve. “Duke krijuar kushtet e biznesit agrar, që do t’i kthejë kursimet që vijnë nga emigracioni, jo thjesht për të mbajtur frymën gjallë, por në kursime që do të vijnë për investime në ekonominë e re të familjes në fshat.
Por, kjo nuk mund të ndodhë në rast se ne nuk ndryshojmë kushtet, në të cilat fshati, prodhon dhe kushtet në të cilat prodhimi në fshat zhvillohet”, - tha Rama gjatë fjalës së tij.
28 Prill 2009