Meta: “Në buxhetin e 2010-s do të dyfishohen investimet për bujqësinë”
Lideri i LSI-së, Ilir Meta, bëri një vizitë në komunën e Kasharit, në një vreshtari sipërmarrje private e një fermeri. Kreu i LSI-së zhvilloi një bisedë me fermerët që punonin në vreshta, dhe dëgjoi problemet që banorët e Kasharit kishin për të kultivuar vreshtarinë dhe prodhimet e tjera bujqësore. Gjatë fjalës së tij, Meta bëri të ditur planin e LSI-së për ta nxjerrë bujqësinë nga kriza përmes një mbështetjeje të fuqishme nga qeveria që do të vijë pas fitores së LSI-së në zgjedhjet e 28 Qershorit.
“Plani i LSI-së është një plan që mbështetet në treguesit ekonomikë të vendit dhe që në buxhetin për vitin e ardhshëm, që do të miratohet në vitin 2010, do të jetë planifikuar dyfishimi i investimeve për bujqësinë. Kjo është shumë e rëndësishme jo vetëm për të përmirësuar jetën tuaj, por për të përmirësuar atë bilanc eksport-import që sot ka vendi, që ndikon në rritjen e varfërisë dhe në dekurajimin e njerëzve për të punuar dhe investuar”, - tha Meta.
28 Prill 2009