Kush është zotëria "50 milionë euro"?
TIRANË - Skandali i përmasave të mëdha ku dyshohen lidhje të rrjetit tonë diplomatik me botën e nëndheshme të kriminalitetit dhe të paligjshmërisë mori një kthesë të rëndësishme dje kur gazeta "Shekulli" arriti të shtjerë në dorë numrat e 6 llogarive bankare italiane ku një person i panjohur derdhi me naivitet 50 milionë euro në emër të shtetit shqiptar pa e ditur që po kryente një "harakiri" financiar. Ky fakt merr një rëndësi të madhe sepse në momentin kur u krye kjo derdhje, shteti shqiptar kishte mbi 15 vite që nuk kryente asnjë transaksion bankar në Itali. Për shkak të një mosmarrëveshjeje, rreth godinës së ambasadës, qysh nga viti 1993 Shqipëria ishte dënuar nga një gjykatë civile në Romë me detyrimin për të paguar rreth 900.000 euro dhe sa herë që autoritetet tona diplomatike guxonin të kryenin ndonjë transaksion sado të vogël, këto para sekuestroheshin për të plotësuar shumën e kërkuar nga gjykata. Për këtë arsye, për 14 vite rresht, askush nga pala shqiptare, zyrtarisht nuk kryente asnjë derdhje parash në banka italiane, por përdornin për nevojat e tyre bankat e Vatikanit. Situata vazhdoi kështu deri më 13 prill të 2007-ës, kur një person misterioz, me pasaportë diplomatike shqiptare, ndoshta tërësisht i painformuar për këtë luftë të gjatë, ndoshta aspak përfaqësues i shtetit shqiptar, derdhi në 6 llogari të ndryshme bankare një shumë marramendëse prej 50 milionë eurosh. Mekanikisht, gjykata italiane i sekuestroi këto para. Dhe këtu nisi historia e nëndheshme që do të nxirrte rrënjët e një dyshimi të madh. Kush kryen transaksione bankare në emër të shtetit shqiptar, pa dijeninë e shtetit shqiptar?
"Shekulli" me ndihmën e avokatit Genci Çeli, ka arritur të sigurojë një kopje të shkresës së sekuestrimit të këtyre 6 llogarive bankare, për lirimin e të cilave Këshilli i Ministrave lëshoi, një vit pas këtij bllokimi, një fond prej rreth 900 mijë eurosh, për të shlyer "borxhin" e paligjshëm dhe të paqenë ndaj ish-pronarit të ndërtesës, shtetasit italian Gianni Luigi. Sipas kësaj shkrese, ka qenë mbrojtësi ligjor i përfituesit të këtij vendimi, avokati Ugo Giurato, me kërkesën e të cilit Gjykata e Ekzekutimeve ka sekuestruar të 6 llogaritë bankare të hapura në emër të "shtetit shqiptar" nga një person me pasaportë diplomatike më datë 13 prill 2007. Këto llogari bankare, ishin hapur në gjashtë filiale të ndryshme të Bankave në Romë, të gjitha nën emrin e qeverisë shqiptare, që mbartnin në vetvete një shumë prej 50 milionë euro. Kjo shumë, parash nuk është deklaruar nga vinte dhe si ishte siguruar nga depozituesi, por ishte regjistruar vetëm nën emrin e shtetit shqiptar, pa ditur se në Itali prej 14 viteve Gjykata Civile kishte dhënë një vendim kundër Republikës së Shqipërisë, e cila ishte dënuar për "mos pagim të detyrimeve të qirasë" për ish-ndërtesën e vjetër të Ambasadës Shqiptare në Romë, vendim i cili kishte mbetur pa u ekzekutuar. Ky vendim i Gjykatës Civile në Romë është marrë më 10 nëntor 1993, që e ka detyruar të gjithë personelin e Ambasadës shqiptare në Romë të hapnin llogari të reja bankare në shtetin e Vatikanit nga frika e ekzekutimit të këtij vendimi të paligjshëm. Me hapjen e këtyre llogarive të reja bankare, të gjithë zyrtarët e Ambasadës për 14 vite janë detyruar të kryejnë të gjitha transaksionet bankare për llogari të Ambasadës nga shteti shqiptar nëpërmjet shtetit të Vatikanit, duke iu shmangur kundërshtimit të këtij vendimi. Por, sekuestrimi i këtyre 6 llogarive bankare me 50 milionë euro brenda nga Gjykata e Ekzekutimeve për llogari të avokatit të shtetasit italian Gianni Luigi, i ka detyruar zyrtarët e Ambasadës në Romë të zgjohen nga "gjumi 14- vjeçar" dhe të kërkojnë mënyra edhe të paligjshme për shlyerjen e këtij "borxhi" të dhënë me vendim civil nga Gjykata e Romës në vitin 1993. Por, me insistimin dhe presionin e qeverisë shqiptare, Ambasadori Kola gjen një avokat për të mbrojtur këto 50 milionë eurot, që pas ndërhyrjeve të studios ligjore "Polverini & Agaçi" arrihet një marrëveshje e paligjshme me kërkuesin Luigi duke ia kaluar atij 900 mijë euro me Vendim të Këshillit të Ministrave të datës 23 prill 2008. Me lëshimin e këtij vendimi, avokatit që përfaqësoi fillimisht Ambasadën Shqiptare të Romës, Genci Çeli i hiqet akreditimi nga Ambasadori Kola dhe në vend të tij hynë studio ligjore "Polverini & Agaçi". Pas heqjes së të drejtës së përfaqësimit, avokat Çeli denoncon këtë marrëveshje të paligjshme pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorisë së Romës, me 20 shtator 2008, duke ia kthyer qeverisë shqiptare fondin prej rreth 900 mijë euro. Menjëherë pas këtij kallëzimi, kërkuesi dhe avokati i tij Ugo Giurato heqin dorë nga kërkesa ndaj Republikës së Shqipërisë dhe gjyqtarja Girone ligjëron këtë tërheqje, duke i liruar të 50 milionë eurot nga sekuestrimi më 22 shtator 2008, vetëm dy ditë pas kallëzimit të avokat Çelit. Ky vendim, që tashmë u shfuqizua si i paligjshëm për Ambasadën shqiptare në Romë prej 14 vitesh është përdorur nga zyrtarët e Ministrisë së Jashtme italiane në formë presioni në të gjitha rastet kur ky institucion shqiptar ngrinte zërin për shkeljet e të drejtave të emigrantëve shqiptarë nga autoritetet italiane.
LLOGARITË E SEKUESTRUARA PËR 5 MUAJ:
Banca di Roma - viale Tupini nr. 180 Roma 00144
Banca Nazionale di Lavoro Viale Vittorio Veneto nr. 119 Roma 00186
Banca Intesa San Paolo Via della Stamperia nr. 64 CAP 000187 Roma
Banca Sella SpA - Via Italia nr. 2 Biella 13900
Banca Sella SpA P.zza Poli nr. 38/41 Roma 00187
Banca Popolare Pugliese via Provinciale per Matino nr. 5 Parabita (LE) 73052
TAKIMET
Berisha është interesuar për paratë
Kryeministri, ndërhyrje direkte për "sekuestron" e 50 milionë eurove tek kryetari i avokaturës italiane Fiumara
TIRANË - Sekuestrimi i gjashtë llogarive bankare me 50 milionë euro brenda tyre, ndonëse mund të mos jenë kryer nga persona që kanë lidhje me shtetin shqiptar, por në mënyrë të dyshimtë kanë shkaktuar shqetësim tek kreu i qeverisë, Sali Berisha. Sipas të dhënave, mësohet se kryeministri, në kulmin e krizës së 50 milionë eurove, është takuar urgjentisht me Presidentin e Avokaturës së Shtetit italian, Oscar Fiumara. Ky takim, sipas të dhënave që "Shekulli" ka siguruar dhe sipas faqes zyrtare të Këshillit të Ministrave është mundësuar vetëm pesë ditë pasi me kërkesë të avokatit Ugo Giurato, Gjykata e Ekzekutimeve në Romë ka sekuestruar të 6 llogaritë bankare të shtetit shqiptar. Ndonëse ekziston një mungesë e plotë informacioni se pse persona që s'kanë lidhje me shtetin shqiptar përdorin emrin e tij për të kryer transaksione bankare, kreu i ekzekutivit mësohet se është interesuar personalisht për këtë çështje kaq të errët.
Shteti shqiptar i cili për 14 vite me radhë nuk kishte lëvizur as gishtin e vogël për të rrëzuar një vendim të padrejtë të gjykatës italiane që i pengonte Shqipërisë çdo veprim financiar, duke gjetur për veten zgjidhje të tërthorta përmes Vatikanit, është vënë menjëherë në lëvizje sapo një njeriu misterioz dhe të painformuar për këtë situatë, i janë bllokuar 50 milionë euro që ai i ka depozituar duke përdorur emrin e shtetit shqiptar. Këto para u bllokuan ashtu siç mund të ishte bllokuar çdo qindarkë që do të derdhte shteti shqiptar në bankat italiane, për shkak të vendimit të Gjykatës Civile të Romës, vendim ky i dhënë më 10 nëntor 1993, ku është dënuar Republika e Shqipërisë me rreth 900 mijë euro detyrime materiale, ndaj ish-pronarit të vjetër të ndërtesës së Ambasadës për "mos pagim të detyrimeve të qirasë". Sipas shkresave të sekuestros që "Shekulli" i ka siguruar një kopje, sekuestrimi i kësaj shumë prej 50 milionë euro të depozituar nga një shtetas shqiptar me pasaportë diplomatike, është bërë më 13 prill 2007. Ndërkohë, më 17 prill 2007, me kërkesë të qeverisë shqiptare dhe zyrës së Avokaturës së Shtetit në Shqipëri, ka zbritur në Tiranë për një vizitë pune, Presidenti i Avokaturës së Shtetit italian, Oscar Fiumara, takim ky, që në atë kohë u trumbetua si një takim kortezie për forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-italiane në fushën e Avokaturës së Shtetit. Por, ky takim nuk ka qenë i fundit për avokatin Fiumara me kryeministrin Berisha, pasi në fillim të shtatorit të 2008, në kohën kur mbahej kongresi i Partisë Demokristiane italiane, kryeministri shqiptar ndodhej në Itali si i ftuar në këtë kongres. Mësohet se në ditën e dytë të kësaj vizite, kryeministri Berisha nën shoqërimin e Ambasadorit Llesh Kola ka vizituar përsëri në zyrat që ndodhen në "via dei Portoghesi nr. 12. Roma" avokatin Fiumara, ku ai ka insistuar që avokatura e shtetit të ndërhyjë për lirimin e 6 llogarive bankare nga sekuestrimi. Sipas këtyre burimeve, mësohet se kryeministri Berisha i ka kërkuar Presidentit të Avokaturës së Shtetit italian Oscar Fiumara përshpejtimin e procedurave për lirimin e këtyre llogarive bankare me vlerë 50 milionë euro, pasi në prill të 2008 shteti shqiptar kishte bërë një "marrëveshje" me ish-pronarin e ndërtesës së vjetër të Ambasadës në Romë, duke ia dhënë atij rreth 900 mijë euro. Por, edhe pse kjo marrëveshja ishte e paligjshme, Ambasadori Kola ia kishte servirur qeverisë shqiptare, se pakti mes një studioje ligjore italiane të quajtur "Polverini & Agaçi" dhe avokatit të pronarit të ndërtesës së vjetër të Ambasadës, Ugo Girato kishte qenë i ligjshëm. Kjo paligjshmëri e ligjëruar nga gjyqtarja e Gjykatës së Ekzekutimeve Girone, është zbuluar dy ditë pas kallëzimit që avokati Genci Çeli bëri në Prokurorinë e Romës dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndaj "aktorëve" të kësaj marrëveshje, duke e cilësuar vendimin e 1993 të Gjykatës Civile si të paligjshme, në bazë të Konventës së Vjenës, ku edhe shteti italian ka aderuar. Ky kallëzim ka bërë që kërkuesi të heqë dorë, kërkesë që është pranuar edhe nga gjykata që më pas i ka liruar nga sekuestrimi 17- mujor të 6 llogaritë bankare me 50 milionë euro brenda që figuronin nën emrin e "shtetit shqiptar", pasi ishin depozituar nga një shtetas shqiptar me pasaportë diplomatike.
"Kryeministri Sali Berisha takoi Presidentin e Avokaturës së Shtetit italian, Oscar Fiumara, vetëm tre ditë pas sekuestrimit të këtyre 6 llogarive bankare, më 17 prill 2007 në Tiranë"
"Kryeministri Sali Berisha takoi Presidentin e Avokaturës së Shtetit italian Oscar Fiumara, në fillimi të shtatorit 2008, pasi Ambasada Shqiptare në Romë kishte arritur një marrëveshje të paligjshme me ish-pronarin e ndërtesës së vjetër"
Ambasadori Llesh Kola, nuk dinte për 6 llogaritë bankare me 50 milion euro brenda. Pas sekuestrimit njoftohet nga kryeministri Sali Berisha. Për këtë sekuestrim Ambasadori Kola nuk ka folur as me avokatët e Ambasadës"
Vendimi i Gjykatës Civile të Romës, edhe pse i paligjshëm, është përdorur për 14 vite nga zyrtarët e Ministrisë së Jashtme italiane në formë presioni ndaj Ambasadës, kur kjo e fundit ngrinte zërin për shkeljet e të drejtave të emigrantëve shqiptar nga autoritetet italiane.
NËN HETIM
Engjëll Agaçi, avokat
Polverini Agaçi, studio ligjore italiane
Ugo Giurato, avokati
Luixhi Xhiani, përfituesi i shumës
Gjyqtarja Girone
KALLËZIMI
TIRANË- Sipas avokatit Genci Çeli, kjo marrëveshje e arritur mes palës shqiptare të përfaqësuar nga avokat Engjëll Agaçi dhe studios ligjore italiane Polverini Agaçi dhe palës kërkuese avokatit Ugo Giurato dhe shtetasit italian Luixhi Xhiani, është ligjëruar nga gjyqtarja Girone në mënyrë të kundraligjshme. "Më 22 shtator 2008, duke parë se kjo marrëveshje e paligjshme dhe këto para të qeverisë shqiptare do të përfundonin në xhepat e matrapazëve, vendosa t'i denoncoj pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë Italiane, Dhomës së Avokatisë së Romës dhe Prokurorisë së Romës duke bazuar këtë vendim e marrëveshje të paligjshme në bazë të neneve 31\1 c dhe 31\3 të Konventës së Vjenës me anë të shkresës me numër protokolli 005092"-theksoi avokati Çeli për "Shekullin". Çuditërisht, dy ditë pas këtij kallëzimi, konkretisht më datë 24 shtator 2008 shtetasi italian Luixhi Xhiani dhe avokatit i tij Ugo Giurato heq dorë shprehimisht nga borxhi i Ambasadës shqiptare në Romë. Pas heqjes dorë, këtë kërkesë të tyre gjyqtarja Girone e ligjëron duke e pranuar mbi bazën e vullnetit të kërkuesit. Por, më datë 23 tetor 2008, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Drejtësisë italiane Carlo Visconti dërgon në adresë të avokatit Genci Çeli përgjigjen e ankesës (kallëzimit) me nr. protokolli P25588\2008 ku pranohet ankesa ndaj gjyqtares dhe njofton se KLD-ja italiane ka dërguar në prokurori të gjithë të përfshirët në këtë marrëveshje të paligjshme. Ndërkohë, prokuroria e Romës më datë 22 shtator 2008 ka filluar procedimin penal për marrëveshjen e paligjshme të Ambasadës Shqiptare në Romë me qytetarin italian Luixhi Xhiani dhe mban numrin e dosjes 7799\08 K me prokuror Bombardierin, nga i cili hetimet po vazhdojnë.