Fadromë shtëpisë së ndërtuar mbi tokën e tij
Paguan vetë fadromën për të shkatërruar banesën e ndërtuar në pronën e tij, pa pritur vendimin e zyrës së përmbarimit. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në Farkë të Tiranës kur Haki Maci ka shembur banesën e Xhelal Filjës me të cilin kishte konflikte pronësie çështje e cila kishte përfunduar në gjyq. Burime nga policia thanë se Haku Maci pretendon se toka ku ka ndërtuar disa vite më parë shtëpinë Xhelal Filja i përket atij. Pas konflikteve të shpeshta çështja përfundoi në gjyq. Mësohet se gjykata ka njohur si pronar të tokës Macin i cili dyshohet se është mjaftuar me kaq për të "zhdukur" banesën nga toka e tij. Mirëpo Filja i cili aktualisht ndodhet me familjen në Itali, ka ankimuar vendimin e gjykatës. Ndërsa për shembjen e banesës nuk ishte dhënë urdhri as nga përmbarimi. Por Haki Maci nuk ka pritur vendime të tjera për të shkatërruar shtëpinë. Ditën e djeshme ai ka paguar një fadromë për të prishur shtëpinë. Për punën e fadromës e cila nisi të shembë banesën, është vënë në dijeni avokatja e familjes që ndodhet në Itali, e cila ka lajmëruar menjëherë policinë. Specialistët e seksionit të luftës kundër shkatërrimit të pronës në Policinë e Tiranës, mbërritën pranë vendit ku po shembej shtëpia për të sqaruar rrethanat. Burime nga policia thanë se u mor në pyetje urdhëruesi i shkatërrimit të banesës i cili dyshohet të jetë Haki Maci. Ai ka deklaruar para oficerëve të policisë se toka ishte e tij dhe si pronar e kishte njohur edhe gjykata. Ndaj ai vendosi të prishë shtëpinë. Por për policinë ngjarja kishte kaluar në vetëgjyqësi pasi ende nuk ishte dhënë urdhri për prishjen e banesës nga zyra e përmbarimit. Ndërkohë që policia nuk ka marrë asnjë masë arresti për Macin ndërsa ka nisur hetimet ndaj tij në gjendje të lirë. "Prokuroria ka njohur vendimin e gjykatës në favor të Haki Macit, ndaj dhe nuk urdhëroi masën e arrestit për të. Megjithatë ai do të ndiqet në gjendje të lirë pasi ka dhënë urdhër të shkatërrojë shtëpinë që ndodhet në tokën e tij ende pa vendosur një gjë të tillë zyra e përmbarimit si dhe çështja është ankimuar nga Xhelal Filja" thanë për gazetën burimet policore.