E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Hoxha, për herë të fundit në prokurori

Ish- shefi i shtabit dhe ish- sekretari i Mbrojtjes, firmosin mbylljen e hetimit ndërsa mohojnë akuzat ndaj tyre

Akuzat iu komunikuan edhe 13 ish- anëtarëve të komisioneve të vlerësimit të fishekëve dhe municioneve në Ministrinë e Mbrojtjes

TIRANË- Hetimet për shpërthimin tragjik me pasoja të rënda në Gërdec, mbyllen edhe ndaj ish- shefit të Shtabit të Ushtrisë, Gjeneral Leitnant Luan Hoxha dhe ish- sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Adriatik Mema. Po kështu organi qendror i akuzës ka bërë të njëjtën gjë edhe me 13 personat që kanë kryesuar Komisionet e vlerësimeve të fishekëve, municioneve të rënda dhe komisionit të kategorizimit të municioneve. Lajmi bëhet me dije nga burime zyrtare pranë grupit hetimor të kësaj dosjeje, të cilët shtuan se gjeneral Luan Hoxha dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes Adriatik Mema, nuk kanë pranuar akuzat ndaj tyre. Madje ata i kanë cilësuar tendencioze dhe të pa argumentuara në prova. Gjithashtu, gjatë dy ditëve të fundit, pranë zyrave të institucionit të akuzës janë paraqitur për tu njohur me aktet hetimore edhe 13 të pandehurit e tjerë, që kanë qenë pjesë e Komisioneve të çmimeve të fishekëve e municioneve të rënda, si dhe pjesë e komisioneve të kategorizimit të municioneve për demontim dhe shitje. Asnjë prej të pandehurve mësohet se nuk ka pranuar akuzat, duke e cilësuar veten të pafajshëm para hetuesve të Gërdecit.Këta të fundit, po mbyllin dosjen hetimore dhe po përgatisin kërkesën për gjykim.
Mediu
Ndërkaq, dy ditë më parë, pranë zyrave të institucionit të akuzës janë paraqitur për tu njohur me aktet hetimore edhe avokatët e të pandehurit Fatmir Mediu, të cilët edhe pse kanë kundërshtuar akuzat kanë firmosur për mbylljen e hetimeve. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nuk ka preferuar të paraqitet në prokurori, duke ia lënë të gjitha atributet e tij avokatit mbrojtës. Sipas prokurorisë mësohet se "i gjithë procesi i parregullt administrativ, i urdhëruar nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka mundësuar ndërmarrjen MEICO dhe kompanitë "SAC-ALBADEMIL", të realizojnë procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit në një situatë kaotike, pa vendosur dhe zbatuar asnjë rregull standard të sigurisë në administrimin dhe ruajtjen e municioneve, në procesin teknik të çmontimit dhe çmilitarizimit, si dhe në procesin e administrimit të produkteve të dala nga ky proces. Hetimet e kryera dërgojnë në konkluzionin se shkeljet e lartpërmendura të akteve ligjore dhe nënligjore, shkelja e rregullave të sigurimit teknik në procesin e magazinimit të municionit, në procesin e çmontimit dhe administrimit të produkteve të dala nga ky proces, kanë sjellë shkaktimin e zjarrit të pasuar me shpërthimet masive, duke shkaktuar dëmtime shumë të rënda të interesave të shtetit dhe të shtetasve, duke krijuar një situatë tejet të rëndë social - ekonomike dhe dëmtuar sigurinë në gjithë rajonin që preku kjo ngjarje",-thuhet ndër të tjera nga burimet e prokurorisë. Si pasojë e këtij shpërthimi u vranë 26 persona, e mbi 300 të tjerë u plagosen dhe mbi dy mijë shtëpi u shkatërruan pjesërisht ose tërësisht.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›