E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Porosi e largët' nga Llakatundi

Arrestohen nëntë persona, sekuestrohen automjete, pasaporta dhe pajisje të tjera. Narkotrafikantët synonin Greqinë


Një ngjarje nxjerr një tjetër. Operacion në shkallë të gjerë në Vlorë. Bllokohen 30 kg drogë


Gjithçka nisi pasditen e 29 shkurtit kur një patrullë policore ndaloi në një rrugë automobilistike pranë Vlorës një taksi të dyshimtë. Brenda saj, Ruhi Matuka dhe Klodion Ibrahimi kishin fshehur një çantë me afro 4 kilogram marijuhanë. Ndërhyrja në fjalë, që u zhvillua rreth orës 17.00 në zonën e quajtur Bestrovë e Vogël, shërbeu si zanafillë e një operacioni më të zgjeruar, të pagëzuar nga forcat policore me emrin piktoresk dhe domethënës: "Porosia e largët". Dy orë pas incidentit të Bestrovës, uniforma të shumta blu mësynë fshatin e Llakatundit po në rrethin e Vlorës. Gjuetia nuk doli pa gjë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Hamit Hoxha, banor i këtij katundi, janë gjetur 4 thasë me ngjyrë të bardhë. Policët dyshuan se brenda tyre duhej të kishte mallra të ndaluara dhe kuturisën të hidhnin një sy brenda tyre. Atje edhe u zbuluan një sasi prej gjashtëfishin e drogës së kapur në çantën e korrierëve të arrestuar para dy orësh. Plot 24 kg bimë narkotike e llojit cannabis flinte e depozituar në këtë fshat, në pritje të "postimit" drejt porositësve të largët. Kaq u desh, dhe gjatë operacionit nga ana e bluve u sekuestrua jo vetëm e tërë sasia e lëndës narkotike, në total 28.1 kg, por edhe dy automjete një tip benz 220, me ngjyrë të bardhë me targa VL 574, si dhe një automjet tip Toyota ngjyrë portokalli me targa italiane, LA 099 VVM. Sipas policisë së Vlorës, me cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dhe një pasaportë e falsifikuar, si dhe 10 aparate celularë që ky rrjet kishte në përdorim. Më pas rrjeti i të arrestuarve u zgjerua pasi të implikuarit nisën të tërhiqnin njëri tjetrin. Më në fund, autoritetet policore kishin të drejtë të krenoheshin. Nëntë të dyshuar, afro 30 kilogram "bar i keq" dhe plot mjete të tjera të paligjshme, "flinin" tashmë në ambientet e komisariatit.
Gjatë hetimeve intensive të kryera rezultoi se gjithë shtetasit e arrestuar janë të implikuar në trafik ndërkombëtar të paligjshëm të lëndëvë narkotike. Nga hetimet e kryera nga strukturat përkatëse në drejtorinë e Policisë së Qarkut të Vlorës, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka rezultuar se këta persona punonin me porosi të caktuara në drejtim të shtetit grek. Edhe sasia e mallit të sekuestruar mësohet se kishte destinacion pikërisht Greqinë.


Nëntë personat e arrestuar:
Klodian Ibrahimi, 23 vjeç, lindur e banues në Lagjen "Partizani" të qytetit të Vlorës,
Hamit Hoxha, 42 vjec, lindur e banues në fshatin Llakatund, Vlorë.
Dashnor Lumaj, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Llakatund, Vlorë.
Ruhi Matuka, 42 vjec, lindur në Nivicë, tepelenë dhe banues L."10 Korriku", Vlorë.
Gjergj Rustemi, 42 vjeç, lindur e banues në fshatin Llakatund, Vlorë.
Klajdi Malollari, 23 vjeç, lindur e banues në fshatin Llakatund, Vlorë.
Florian Sadikaj, 24 vjeç, lindur e banues në fshatin Llakatund, Vlorë.
Elton Islamaj, 18 vjeç, lindur e banues në fshatin Llakatund, Vlorë.
Rexhep Selimaj, 30 vjeç, lindur e banues në L. "Isa Boletini", Vlorë

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›