E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piromani i dehur djeg shtëpinë e vëllait

Policia arreston autorin e dyshuar të ngjarjes, i cili ka pranuar krimin gjatë pyetjes së tij prej hetuesve


Fatos Çullhaj i vë flakën shtëpisë në të cilën banonte me të vëllain, pas grindjeve me të për motive banale


TIRANE- Nuk duronte dot vëllain me të cilin jetonte në një çati dhe i vë flakën shtëpisë, për shkak të grindjeve me të. Kështu ka ndodhur mesnatën e të premtes në rrugën "Ali Baushi" në kryeqytet, kur Fatos Çullhaj, me të kaluar të pasur penale, i ka vënë flakën shtëpisë së të vëllait. Veç grindjeve me të vëllain, sipas burimeve të policisë, për t'i vënë flakën banesës ku jetonin së bashku mësohet se ka ndikuar edhe adrenalina e lartë e rritur nga alkooli i konsumuar prej tij gjatë mbrëmjes së të premtes.
Fatos Çullhai, 49 vjeç, tashmë i arrestuar, shfrytëzoi mungesën e vëllait dhe familjes së tij në shtëpi për t'i vënë asaj zjarrin. Gjithçka ndodhi mbrëmjen e së premtes në rrugën "Ali Baushi", afër shkollës "Xhezmi Delli", në Tiranë kur 49-vjeçari Fatos Çullhai në gjendje të dehur dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës së vëllait, në të cilën jetonte edhe vetë. Flakët nuk kanë vonuar të shqyejnë çatinë e banesës njëkatëshe trarët e së cilës kërcisnin ndërsa shkëputeshin mes tyre. Kjo situatë ka bërë që policia dhe zjarrfikësit të mbërrinin në vendin e ngjarjes të lajmëruar nga banorët e zonës për shkak të rrezikut që iu kanosej edhe atyre. Zjarrfikësit, kanë mundur të shuajnë flakët, ndërsa shtëpia sipas tyre, është djegur në një pjesë të mirë të saj. Policia nisi hetimet për të zbardhur rrethanat e rënies së zjarrit në banesën e familjes Çullhaj. Burime nga policia thanë se pas deklarimeve të pronarit të banesës, vëllait të të arrestuarit dhe këqyrjes së banesës rezultoi se zjarri është vënë qëllimisht. I dyshuari, sipas policisë, ishte Fatos Çullhaj, personi i vetëm që ndodhej në shtëpi në momentin e rënies. Shkak për zjarrvënien, sipas burimeve të policisë mendohet të ketë shëbyer konflikti mes vëllezërve që herë pas here kishte pasur shkaqe banale.
Konflikti
Fatos Çullhaj banonte në një dhomë në shtëpinë e vëllait të tij E.Çullhaj, mes tyre kishte pasur shpesh herë debate për motive të dobëta. Konfliktet mes dy vëllezërve dyshohet se kanë pasuar me djegien e shtëpisë nga njëri prej tyre. I dyshuari është pikërisht 49-vjeçari Fatos Çullhaj i cili në momentin e rënies së zjarrit rreth orës 20:45 të mbrëmjes së të premtes, ka qenë në banesë. Ekspertët e policisë nisën hetimet për të zbardhur rrethanat e rënies së zjarrit duke dyshuar fillimisht se bëhej fjalë për ndonjë shkëndijë elektrike. Por sipas dëshmisë së pronarit të banesës, prej një muaji ata nuk kishin energji elektrike. Burime nga policia thanë se në deklarimet e tij, pronari i shtëpisë tregoi se kishte pasur konflikte me vëllain e tij, gjë e cila detyroi policinë ta shoqërojë atë.
I arrestuar
"Unë nuk mund të djeg shtëpinë time, nuk mund të bëj një gjë të tillë",- mësohet të ketë thënë fillimisht Fatos Çullhaj, por pas pyetjeve të shumta të oficerëve të policisë, 49-vjeçari ka treguar se kishte ndezur zjarrin me çakmak, ndërsa rikthehej sërish në dëshminë e parë duke thënë se nuk i kishte vënë zjarrin banesës së tij. Burime nga policia thanë për "Shekullin" se ndaj Çullhajit u mor masa e arrestit për veprën penale të "shkatërrimit të pronës me zjarr". "Dyshohet se zjarri është vënë qëllimisht prej Fatos Çullhajt, por po hetohet edhe një pistë tjetër ajo ë vënies së zjarrit nga pakujdesia, pasi dyshohet se i arrestuari ka ndezur një qiri i cili ka shkaktuar dhe flakët duke djegur shtëpinë" thanë për "Shekullin" burimet policore. 49-vjeçari ka qenë edhe më parë i dënuar për vepra të ndryshme penale. Pasi kryente një dënim, ai lirohej dhe arrestohej sërish sepse akuzohej për një vepër penale, dhe sipas policia në total ai ka kryer 17 vite burgim.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›