E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy gjysmefinalet e Kupes Dejvis

Po zhvillohen të forta gjysmëfinalet e kompeticionit më të madh të tenisit për ekipet kombëtare. Vetëm pak ditë pasi britaniku Andi Marrej fitoi turneun e Çmimit të Madh në “Australian Open”, katër ekipet më të mirë të Kupës Dejvis kanë nisur luftën për të siguruar një vend në finale.
Në Spanjë, vendasit janë në epërsi 2-0 ndaj SHBA, pasi i fituan dy ndeshjet e para nga 4 apo 5 që duhet ët zhvillohen. i pari sukses për kampionët në fuqi u arrit nga David Ferrer që mposhti 3-1 me sete Sam Kuerrin. Me përjashtim të setit të parë që e humbi 4-6, Ferrer nuk pati probleme duke fituar setet e tjerë 6-2, 6-2 e 6-4.

Në ndeshjen e dytë, që ishte shumë më e vështirë, Nikolas Almagro fitoi në 5 sete ndaj Xhon Ajsnerit. Amerikani luftoi fort duke shfrytëzuar shërbimin e tij të jashtëzakonshëm dhe shtatlartësinë për të përballuar Almagron, duke shpëtuar 3 herë në momentet e fundit. Gjithsesi, ai vuajti nga ngërçet në fund të takimit, të cilin e humbi 2-3 me sete.

Spanja ka nevojë vetëm për një fitore që të arrijë finalen e 4-ët në 5 vjet dhe të vazhdojë synimet për trofeun e 4-ët në histori.
Në Buenos Aires ka më shumë ekuilibër. Argjentina vendase kaloi në epërsi ndaj Republikës Çeke falë suksesit të Huan Martin Del Potros ndaj Radek Stepanekut. Del Potro, një nga tenistët më të mirë të botës, nuk e pati aspak të vështirë duke fituar 3-0 me rezultat të seteve 6-4, 6-4 e 6-2.

Shumë e fortë ndeshja e dytë ku numri 6 i botës, Tomas Berdih pati nevojë për 5 sete për të fituar dhe për të barazuar për çekët. Berdih, gjysmëfinalist në “Australian Open”, fitoi lehtësisht setin e parë 6-1, pastaj humbi dy sete radhazi 4-6 e 1-6, veçse në fund erdhi kthesa. Çeku fitoi setin e katërt 6-4 dhe të pestin po me këtë rezultat. Çekia ka fituar Kupën Dejvis më 1980 kur ishte Çekosllovaki, ndërsa Argjentina synon finalen e 2-të radhazi dhe të 4-ën që nga 2006-ta.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›