E Diel, 1 Nëntor 2026

"U fejua me një tjetër, ndaj do ta vrisja vajzën që doja"



SKRAPAR/ DILAVER XHELILI

Vetëm 24 orë ka mundur t'u shpëtojë prangave autori i plagosjes me armë zjarri të nënë e bijë në fshatin Spatharë të Skraparit. Besmir Bakiu u arrestua në një zonë të thellë malore, teksa ishte fshehur në një shpellë. Kur e ka gjetur veten të rrethuar, ndonëse i armatosur, 25-vjeçari ka ngritur duart lart, duke mos i bërë rezistencë policisë. I lodhur nga arratia, i paushqyer dhe shumë i tronditur nga krimi, i riu i është bindur thirrjes së bluve, duke shfaqur menjëherë pas prangosjes pendesën për krimin e kryer. Ai akuzohet për veprën penale të vrasjes me dashje e mbetur në tentativë si dhe armëmbajtje pa leje. Bakiu plagosi me automatik 18-vjeçaren Glida Sevdari dhe nënën e saj, Liri Sevdari, 40 vjeçe. Pas arrestimit, oficerët e policisë e kanë marrë në pyetje të riun, i cili mësohet se është rritur në fshatin Spatharë, por që prej disa kohësh jetonte në Sarandë. Ai ka shfaqur pendesë për krimin, për të cilin është shprehur se kishte 5 ditë që e mendonte. "Jam penduar, por unë e doja vajzën. Kur e mora vesh që ajo ishte fejuar me dikë tjetër, u shqetësova shumë. Për 5 net me radhë jam menduar dhe vendosa të hakmerresha ndaj saj. U nisa nga Saranda për ta vrarë, por me sa duket ka qenë me fat që plumbat nuk i morën jetën. U largova i bindur se ajo dhe nëna e saj kishin vdekur", është shprehur i riu për grupin e hetimit. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00 të së enjtes, pasi 25-vjeçari kishte vendosur të hakmerrej ndaj vajzës me të cilën ai pretendoi se kishte pasur një histori dashurie dhe kishin vendosur të fejoheshin. Por fejesa me një djalë tjetër e ka irrituar atë, duke e çuar deri në krim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›