E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga Lazarati me 285 kg drogë, katër në pranga



GJIROKASTëR – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj tha dje se në të njëjtin aksion që bllokoi drogën në Itali, policia shqiptare ka sekuestruar edhe 285 kilogramë lëndë narkotike në Gjirokastër. Aksioni është koduar me emrin “Gjuetia e Natës”, ndërsa katër persona janë arrestuar rreth mesnatës së enjte në aksin nacional Memaliaj-Mallakastër. Droga e sekuestruar është marrë nga fshati Lazarat mbrëmjen e djeshme nga dy persona. Sipas policisë, ata kanë qenë Eduart Lushkaj dhe Eglivan Hatija, të dy nga Fieri me moshë 20 dhe 28 vjeç. Burimet zyrtare të policisë, thanë se dy personat ishin nisur nga Fieri për në Lazarat, pikërisht për të blerë me para në dorë sasinë narkotike të cilën do ta tregtonin më pas drejt Italisë. Droga është marrë nga Lazarati në drejtim të Gjirokastrës, me mjete rrethanore për t’iu shmangur postbllokut të policisë i cili është ngritur prej disa javësh poshtë fshatit Lazarat, në aksin nacional Gjirokastër-Kakavijë. Materiali narkotik është vendosur fillimisht në lagjen periferike të Gjirokastrës “Zinxhira”, pranë kodrës së Lazaratit dhe aty, droga është paketuar në thasë të mëdhenj plastmasi ngjyrë të zezë. Më pas, hashashi është vendosur në një automjet Fiat kamioçinë. E gjithë kjo skenë është vëzhguar nga larg prej policisë, e cila ka vijuar vëzhgimin deri në afërsi të qytetit të Tepelenës, në momentin kur është konstatuar edhe automjeti shoqërues i makinës ku ndodhej droga. Makina tip Mercedez-Benz, me targa britanike EJ 55USV, drejtohej nga Andi Kurti, 41 vjeç dhe pasagjer Selami Lushkaj, të dy po nga Fieri. I pari ishte blerësi i 285 kg marijuanë, duke pajtuar Eglivan Hatijan dhe Eduart Lushkajn të bënin pazarin në Lazarat, për blerjen e drogës duke mos dalë vetë në skenë. Policia ka ndërhyrë duke arrestuar katër personat dhe bllokuar drogën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›