Pinin hashash, detyrim paraqitjeje studentëve
GJIROKASTER - Studentët konviktorë të kapur nga policia duke pirë hashash, janë lënë të lirë nga Gjykata e Gjirokastrës. Kryesuesi i seancës gjyqësore, Guxim Boçi, ka marrë në konsideratë argumentet e precizuara nga avokati i pesë studentëve të arrestuar për konsumim marijuane, Bernard Aliko, që ata të liheshin me masën e detyrimit të paraqitjes në prokurori. Në këtë mënyrë janë qetësuar familjarët e tyre, që prisnin me ankth në dyert e gjykatës. Nga ana e tyre të pesë studentët patën deklaruar se drogën e kishin marrë për konsumim vetjak, ndërsa nuk dhanë detaje se nga dhe ku e kishin siguruar. Prova e cila i la të lirë studentët konviktorë, por jo nga akuza e ngritur nga prokuroria, ishte sasia e paktë e marijuanës që iu gjet atyre në dhomën ku u kapën nga policia në flagrancë. Analizat e kryera vërtetuan faktin se ata ishin konsumues të lëndës narkotike. p.n