E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy inxhienierët italianë prodhonin kartat e klonuara

Prokuroria e Tiranës mbylli hetimin për dy xhenovezët e akuzuar për vjedhje dhe mashtrim kompjuterik


Hetuesit thonë se të akuzuarit në 100 raste mundën të vidhnin nga bankat e nivelit të dytë 75 mijë euro


TIRANË- Task- Forca e Prokurorisë së Tiranës, mbylli hetimin në ngarkim të dy personave me shtetësi italiane të arrestuar në janar të këtij viti, të akuzuar për vjedhje nëpërmjet mashtrimit kompjuterik, duke kryer klonimin kartave të kreditit. Për pesë muaj, organi i akuzës zhvilloi hetime ndaj veprimtarisë së Luka Kalvit (Luca Calvi) dhe Gabriele Paskualino (Gabriele Pasqualino) dhe dosja ndaj tyre është dërguar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet.


Burime nga organi i akuzës u shprehën dje se gjatë fazës hetimore ndaj dy të rinjve italianë, janë faktuar më shumë se 100 raste grabitjesh në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri.

Ndërkohë nga e gjithë veprimtaria e dy të pandehurve, dëmi financiar llogaritet të jetë në total 75 mijë euro. Për krimin për të cilin akuzohen, gjykata iu caktoi dy xhenovezëve, në muajin janar të vitit 2010, masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve.


Shkak për këtë caktim mase sigurie, sipas gjykatës, ishte fakti se ndaj tyre prokuroria ka nisur procedimin penal për kryerjen e veprave penale të "mashtrimit" dhe "falsifikimit të letrave me vlerë", në bashkëpunim.


Sipas akuzës, i arrestuari Kalvi është personi që ka klonuar e falsifikuar kartat e kreditit, duke kryer edhe vjedhjet e shumave të ndryshme parash në bankomatin e një banke të nivelit të dytë në Shqipëri. Dy të rinjtë italianë fillimisht aktivitetin e tyre për falsifikimin e kartave e kanë nisur në vendin e tyre në Itali, duke arritur që të kryenin disa transaksione bankare me anë të informacioneve të vjedhura.


Por dy 25 vjeçarët nga Xhenova (Genova) janë arrestuar nga autoritetet policore italiane për aktivitetin e paligjshëm që kryenin, duke i bërë persona me precedentë penale.


Nisur nga ky fakt, pasi dy piratët e bankave janë lënë të lirë në vendin e tyre, kanë menduar që aktivitetin e klonimit të kartave bankare ta shtrijnë në njërën prej bankave italianë që operon në tregun bankar shqiptar prej disa vitesh. Hetimet kanë zbuluar se Luka Kalvi dhe Gabriele Paskualino e kanë nisur aktiviteti e tyre në shtator të vitit që kaloi, duke arritur që të klononin disa karta plastike krediti.


Nga burimet e organit të akuzës mësohet se në shtator të vitit 2009 i arrestuari Luka Kalvi me paterica ndër duar i është afruar një bankomati në kryeqytet, duke tërhequr një shumë të konsiderueshme parash. Ndërsa, në tentativën e dytë karta është bllokuar nga bankomati i cili ka fiksuar edhe fytyrën e njeriut që tentonte të kryente veprimin.


Që nga kjo ditë sigurimi i filialit të bankës kishte montuar kamera me precizion të lartë në pritje të tërheqësit "vjedhës". Sipas akuzës, Kalvi ka klonuar kartat e kreditit tip "Vissa" dhe "Master Card" në Itali dhe më pas ka ardhur në Shqipëri duke kryer vjedhje të ndryshme në disa bankomate të vendosura nëpër Tiranë.


Kryesisht "gjahu" i italianit kanë qenë bashkëqytetarët e tij, të cilëve me anë të internetit ia ka çkoduar numrat e llogarive bankare si dhe kodet përkatëse të kartave, duke kryer më pas vetë tërheqje në emër të këryre personave.

Dy inxhinerët xhenovezë, jetë luksoze në Tiranë


Dy xhenovezët e arrestuar gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri bënin një jetesë luksozë. Jetesa në lokalin më luksoz të Tiranës ka bërë që dy italianët e arrestuar për klonimin e kartave të kreditit të shpenzonin shuma të konsiderueshme lekësh, që i tërhiqnin herë pas herë në bankomatët e njërës prej bankave italiane në Shqipëri.


Luka Kalvi dhe Gabriele Paskualino, kishin mbaruar studimet për Inxhinieri Elektronike në Itali dhe gjatë marrjes në pyetje janë shprehur se klonimi i kartave të kreditit ishte një pasion i tyre, i lindur që gjatë kohës së studimeve.


Lajmi për arrestimin e dy të rinjve italianë në Tiranë është pasqyruar gjerësisht dhe në mediet italiane, të cilat kanë pasqyruar me hollësi të gjithë aktivitetin e dy të rinjve që kanë kryer në Shqipëri për disa muaj me radhë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›