Bllokohen 100 kg drogë, policia ndalon autorin
04/06/2010 TEPELENË - Policia e Gjirokastrës ka bllokuar dje rreth orës 18:30, pranë “Ujit të Ftohtë”, rreth 7 kilometra larg qytetit të Tepelenës, 100 kg lëndë narkotike, ndërsa ka ndaluar një shtetas. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëri të ditur se lënda narkotike ishte fshehur në bagazhin e automjetit tip “Benz", në pronësi të shtetasit N. R., banues në Fier, tashmë i ndaluar. Policia tha se lënda e paligjshme kishte destinacion Fierin, pa saktësuar origjinën e saj. “Është ende herët të japim rezultatet e operacionit, pasi aksioni i policisë lokale po vijon”, konfirmoj me celular Gentian Mullai, zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës. Gjatë këtij viti në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë zhvilluar 9 operacione të koduar, duke bërë të mundur sekuestrimin e rreth 1.7 tonë mariuane, si dhe janë arrestuar në flagrancë 14 autorë.