E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, avokatët kërkojnë ndarjen e dosjes në dy pjesë

13/05/2009  Dy gabimet e Prokurorisë, bashkimi i personave me imunitet dhe padia ndaj ALBADEMIL

TIRANË- Ndonëse ka përfunduar në shkallën më të lartë të gjyqësorit, dosja voluminoze e njohur tashmë me emrin “Gërdeci”, gabimet e akuzës kanë dalë në pah. Në seancën e datës 11 maj, mbrojtja ka bërë kërkesë për veçimin e çështjes për 28 persona dhe për shoqërinë ALBADEMIL. Arsyeja sipas mbrojtjes është fare e thjeshtë dhe e bazuar në ligj. 28 personat e arrestuar dhe akuzuar për vrasje të më shumë se dy personave, e për një sërë akuzash të tjera, nëse do të gjykohen në Gjykatën e Lartë nuk kanë të drejtë ankimimi.

Ndarja e çështjeve

Pra në bazë të ligjit këtyre personave i shkelet e drejta ligjore dhe kushtetuese. Por nga ana tjetër është fakt që akuza i ka sjellë në gjykatë me një dosje të përbashkët, mes të cilëve ka emrin edhe ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. Arben Prifti një prej avokatëve të kësaj dosje që ka në mbrojtje, Dritan Minxhollin, Mihal Delijorgjin, shoqërinë ALBADEMIL, ka reagimet e veta si pozitive ashtu edhe negative. Prifti është i bindur se çështja duhet të ndahet dhe për këtë i referohet ligjit. Por nga ana tjetër ai shprehet se do të duhet të zhvillohen dy procese paralele. Nga njëra anë grupi i personave që akuzohen dhe nuk kanë imunitet dhe nga ana tjetër ministri i Mbrojtjes i veshur me imunitet. Akuza sipas Priftit e ka sjellë në gjykatë dosjen dhe është justifikuar me faktin se vepra është në bashkëpunim dhe gjithçka ka ardhur e lidhur si ngjarje. Megjithatë, Prifti është i bindur se çështja do të veçohet sepse kjo është rruga ligjore dhe se Prokuroria nuk ka aspak të drejtë t’i mbyllë rrugën e ankimimit të pandehurve.

Padia për ALBADEMIL

Një tjetër gabim që avokati Arben Prifti e ka hasur në dosjen e organit të akuzës është edhe ngritja e veprës penale për shoqërinë ALBADEMIL. Prifti shpreson që akuza e vrasjes në bashkëpunim e ngritur për shoqërinë që ai përfaqëson të jetë lapsus i prokurorëve. Kështu avokati shpjegon se subjekti juridik në asnjë mënyrë nuk mund të akuzohet për vrasje, pasi drejtuesi i kësaj shoqërie e ka mbi shpin akuzën. Më tej avokati Prifti sqaron se dosja ka shumë sekrete dhe i gjithë informacioni që kanë marrë nga akuza është në CD. Të pandehurit e akuzuar për tragjedinë e 15 marsit në Gërdec, janë në pritje të vendimit që do të japë Gjykata e Lartë. Ndërkaq, në publikimet e fundit në media shihet qartë komunikimi mes të akuzuarve Ylli Pinari, Mihal Delijorgji e Dritan Minxholli, të cilët shfaqeshin të alarmuar pak minuta pas shpërthimit. Ndërkaq, Prokuroria vijon të paraqesë fakte në gjykatë për një prej dosjeve më të rëndësishme të këtyre viteve.

Reagimi i Aldo Bumçit

Do bëj padi penale për shpifje ndaj ish-sekretares sime

Ish-ministri i Drejtësisë, deputeti demokrat Aldo Bumçi, ka hedhur poshtë çdo mundësi që kontakteve personale të tij me djalin e Kryeministrit Sali Berisha. Një ditë pasi në media u publikuan dokumente mbi dosjen “Gërdeci”, sipas të cilave sekretarja e ish-ministrit jepte shpjegime të hollësishme mbi këto dokumente, Bumçi bëri me dije se do të ngrinte një padi penale ndaj ish-varëses së tij. “Nesër (sot) do të dorëzoj padi penale në Prokurori për dëshmi të rreme”, ka thënë ai. Ish-ministri i Drejtësisë ka theksuar se gjatë kohës kur ka shërbyer në postin e ministrit ka pasur vetëm raporte institucionale dhe në asnjë rast nuk ka komunikuar privatisht me askënd, përfshirë edhe Shkëlzen Berishën, djalin e kreut të qeverisë. Në deklaratën e tij Bumçi i referohet relacionit ligjor për draftin që rregullon shitblerjen e armëve dhe municioneve në vend, e cila është pjesë e një letërkëmbimi institucional mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Drejtësisë. Sipas tij, asnjë dokument nuk është adresuar asnjëherë djalit të Kryeministrit Berisha. Deputeti demokrat, duke argumentuar vendimin e tij, thekson se shkrimi që gjendet në dokumentin që përflitet nuk është i tij. “Shkrimi i vendosur në dokumente nuk është aspak i imi dhe se kjo gjë mund të jetë lehtësisht e vërtetueshme”, thekson ai.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›