E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy koalicione të majta për zgjedhjet parlamentare

04/03/2009  Marrëveshjet politike që do të përcaktojnë aleancat zgjedhore të 28 qershorit

Ceka braktis Metën për Berishën, Partia e Gjelbër bashkohet me LSI-në

Afrimi i zgjedhjeve parlamentare po jep një panoramë gjithmonë e më të qartë lidhur me aleancat zgjedhore brenda kampit të majtë. Tashmë është e sanksionuar në Kodin Zgjedhor funksionimi i koalicioneve të përbëra, si e vetmja alternative për partitë që nuk duan të dalin të vetme në zgjedhjet e përgjithshme. Por krahas kësaj partitë e cilësuara “të vogla”, duke ndier rrezikun e shpërbërjes së tyre në kalkulimet paraprake, pasi në bazë të sistemit zgjedhor nuk mund të pretendojnë të arrijnë të kapërcejnë pragun elektoral, kanë vendosur që të formojnë koalicione me dy partitë kryesore: Partinë Socialiste dhe atë Demokratike, por edhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Momentalisht janë dy boshtet kryesore ato që shihen sot në kampin opozitar. Nga njëra anë është Partia Socialiste me dy partitë mbështetëse të përhershme të saj: PSD-në e PDS-në, por në këtë garë i shtohet dhe një tjetër parti e sapokrijuar - “G-99”. Në anën tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ka nënshkruar marrëveshjen parazgjedhore me Partinë e Gjelbër, si dhe Partia Socialiste e Vërtetë 91, duke dhënë në këtë mënyrë dhe panoramën aktuale të dy koalicioneve të majta.

Ceka shkon me PD-në, LSI-ja me Partinë e Gjelbër

Lëvizja Socialiste për Integrim është partia e parë brenda kampit të majtë që ka nisur të zyrtarizojë dhe njëkohësisht të bëjë publike marrëveshjet e saj paraelektorale. Menjëherë pas largimit të partisë së drejtuar nga Neritan Ceka, PAD-së, LSI-ja ka nënshkruar marrëveshjen e parë me Partinë e Gjelbër Evropiane për koalicionin, me të cilën LSI-ja do të hyjë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Nga ana tjetër, edhe pse tashmë dihet se me cilën parti do të bëjë koalicion Partisë Socialiste, ajo ende nuk ka zyrtarizuar asnjë vendim.

Koalicionet

Ndryshe nga e djathta, panorama politike e së majtës paraqitet kaotike. Pothuajse janë konturuar qartë dy koalicionet e saj, që janë nga njëra anë PS-PSD-PDS dhe “G-99” dhe nga tjetër LSI-PSV ’91 dhe së fundi kësaj aleance iu bashkua dhe Partia e Gjelbër. Me zhvillimet e fundit brenda së majtës dhe deklaratat e qarta të Ilir Metës pothuajse janë shuar shpresat për një koalicion të përbashkët të forcave të majta. Mesa duket, edhe në garën e ardhshme elektorale e majta do të shkojë e ndarë. Kështu, të ndarë mes PS-së dhe LSI-së partive të majta do t’u duhet të zgjedhin në cilin koalicion të qëndrojnë, duke u nisur njëkohësisht dhe nga masa e përfitimeve që mund të kenë në secilin nga këto dy koalicione. Vetëm pas regjistrimit në Komisionin Qendror Zgjedhor të subjekteve politike do të shihet në mënyrë përfundimtare se cila do të jetë forma me të cilën do të paraqiten partitë e majta në garën elektorale të këtij viti. Mund të jenë disa subjekte politike që do të zgjedhin të konkurrojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe që mund të rreshtohen në kampin e majtë. Njëkohësisht është e pritshme që secili nga këto subjekte të kërkojë nga PS-ja apo LSI-ja që të bëjë pjesë në aleancat e krijuara nga këto dy parti. Duhet theksuar fakti se zgjedhjet lokale të vitit 2007 ishin modeli i bashkimit të së majtës. Duke lënë mënjanë akuzat, e majta u bashkua e gjitha në një koalicion të vetëm, çka solli fitimin nga e majta të bashkive kryesore të vendit si dhe fitimin për herë të tretë të bashkisë së Tiranës.

Akuzat e PSD-së

“Qeveria shqiptare vazhdon të zhytet në batakun e dështimeve dhe mashtrimeve, duke u konfliktuar haptazi me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke mos reaguar ndaj kritikave të qarta dhe të prera për qeverinë dhe qeverisjen nga ana e SHBA-ve dhe BE-së”, u shpreh deputetja e PSD-së, Diana Çuli. Sipas saj, ashtu siç ka paralajmëruar Partia Socialdemokrate, qeveria dështoi në detyrimin numër një, që e kishte dhe premtim elektoral të mandatit të dalë nga Dushku me 2005 - të marrjes së statusit të vendit kandidat.

Pozicionimi i PSV ‘91

“Meqenëse Kodi Elektoral i imponuar nga bashkimi i zi Rama – Berisha nuk nxit bashkimet e mirëfillta elektorale, por vetëm bashkëpunime paraelektorale, atëherë PSV 91 do e orientojë këtë mundësi drejt partive socialiste, të majta ose progresiste si LSI, PUK apo dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët në radhë të parë angazhohen për ndryshimin e sistemit kushtetues drejt një republike të mirëfilltë parlamentare, ku kryeministrat kontrollohen dhe revokohen nga përfaqësuesit e popullit”, u shpreh kreu i PSV-së 91, Petro Koçi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›