E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrimi me tokën në plazh, një femër merret e pandehur

04/03/2009  Përfundojnë hetimet për 8 të akuzuarit për “grabitjen” e 48 ha në plazhin e “Gjeneralit”

Ish-kreu i AKKP-së Vatnikaj dhe ish-drejtori juridik firmosin kërkesën për gjykim

TIRANE- Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për 8 të pandehurit që dyshohet se kanë abuzuar me 48 hektarë tokë që ndodhet në plazhin e “Gjeneralit”, Kavajë. Personat që janë marrë të pandehur nga akuza janë shtetasit Tunxh Vatnikaj, ish-drejtor i AKKP-së, Ali Aliu, ish-drejtor juridik i zyrës vendore të AKKP-së, Gjergji Hyso me profesion avokat, Fatos Gjuzi drejtues i hipotekës Kavajë, Alma Shehu, koordinatore pranë AKKP-së, Alban Xhillari, biznesmen ndërtimi, Petrit Kullolli, punonjës i AKKP-së si dhe një shtetas tjetër me detyrë topograf. Të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer falsifikimin e dokumenteve për tjetërsimin në mënyrë të padrejtë të një sipërfaqeje tokësore që ndodhet në plazhin e “Gjeneralit”. Ndërkohë që për t’u njohur me aktet hetimore si dhe për të firmosur kërkesën e gjykimit që ka përpiluar Prokuroria, ditën e djeshme janë paraqitur në zyrën e Task-Forcës, të pandehurit Tunxh Vatnikaj dhe Ali Aliu, për të cilin gjykata ka vendosur masën e arrestit në shtëpi. Për paraqitjen e të pandehurve të tjerë Prokuroria, tha se sot ata do të firmosin kërkesën e gjykimit, e cila pritet të shkojë në gjykatën e Tiranës. Aktualisht Task-Forca e Tiranës ka nisur edhe dy procedime të tjera në ngarkim të të pandehurit Tunxh Vatnikaj, ku njëri prej tyre bën fjalë për abuzimet me 124 mijë metra katrore në gjirin e Lalëzit dhe tjetri për një truall që ndodhet në kodrën e “Priftit” Tiranë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›