E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PR, së shpejti strategjia e bashkëpunimit

04/03/2009  Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit vënë në lëvizje kampin e djathtë

Tashmë koalicioni politik i spektrit të së djathtës politike pothuajse është konfiguruar

E djathta shqiptare pritet që shumë shpejt të bëjë publike pikat mbi të cilat do të ndërtohet koalicioni i ri politik, në funksion të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Po ashtu, mësohet se një element shumë i veçantë do të jetë edhe shpaloja e disa elementëve bazë të strategjisë që do të përdoret. Lidershipi i Partisë Demokratike, si forca kryesore e aleancës së djathtë ka nisur tashmë kontaktet me aleatët. Partia Republikane, e cila aktualisht përfaqësohet në Parlament, në radhët e së djathtës me numrin më të madh të deputetëve, pas PD-së, nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit me PD-në. Nënkryetari i republikanëve, Aleksandër Garuli, ka bërë me dije se shumë shpejt do të institucionalizohet bashkëpunimi mes dy forcave politike, në funksion të zgjedhjeve të 28 qershorit. Duke folur për “Metropol”, Garuli thotë se bashkëpunimi mes partive është i hershëm, por do të përcaktohet publikisht strategjia që do të përdoret, me qëllim fitoren e zgjedhjeve. “Ka pasur kontakte mes lidershipit të dy partive. Për bashkëpunimin politik dhe përpilimin e strategjisë që do të ndiqet në zgjedhje, janë ngritur grupe pune nga të dy partitë”, ka pohuar nënkryetari i Partisë Republikane, Aleksandër Garuli. Ai sqaron se këto grupe pune kanë pasur në përbërjen e tyre zyrtarëve të lartë si nga PD-ja, ashtu dhe nga PR-ja. Sipas tij, këto grupe pune kanë punuar për të vendosur bazat e bashkëpunimit dhe strategjinë që do të ndiqet.

Aleanca e djathtë

Koalicioni i djathtë pothuajse është konfiguruar. Partia Demokratike, forca kryesore e mazhorancës së djathtë parlamentare, numëron disa parti politike aleate si në Parlament, ashtu dhe jashtë tij. Në krah të PD-së dhe linjës politike të saj qëndron PR-ja e drejtuar nga Fatmir Mediu. Po ashtu demokratët gjejnë mbështetje nga Bashkimi Liberaldemokrat i Arian Starovës dhe Partia Agraro Ambientaliste e Lufter Xhuvelit. PD-ja ka për aleatë Partinë Demokristiane të Anton Gurakuqit, i cili gëzon postin e zv/ministrit të Jashtëm, si dhe të Lëvizjes së Legalitetit të Ekrem Spahisë, zv/ministër i Kulturës. PDR-ja tashmë mund të konsiderohet pjesë e PD-së, pas bashkimit. Së fundi, kësaj aleance iu shtua edhe PAD-ja e Neritan Cekës. Zgjedhjet e këtij viti në Shqipëri vlerësohen nga të gjithë, si nga politika shqiptare, por dhe nga faktori ndërkombëtar si një provë tejet e rëndësishme, nga e cila do të varet shumë ecuria e procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Republikanët

Partia Republikane dhe Partia Demokratike pritet që së shpejti të shpallin afrimin më të ngushtë me njëra-tjetrën, duke formuar koalicionin politik në funksion të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Zyrtarë të PR-së konfirmojnë se prej kohësh është punuar përmes grupeve të punës nga të dy partitë, për të ngritur themelet e bashkëpunimit të ri politik. Kohët e fundit ka pasur kontakte mes dy partive.

Afrimi i PAD-së

Partia Aleanca Demokratike është deklaruar zyrtarisht aleatja e Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Vendimi është marrë pak ditë më parë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të AD-së, ku është mbështetur propozimi për përfshirjen e partisë në koalicionin zgjedhor që do të drejtohet nga demokratët. Kryetari Neritan Ceka, ka deklaruar se AD synon të marrë 6 deputetë.

Tryeza

Kur ka mbetur pak muaj nga hapja e fushatës elektorale, në funksion të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit pritet që partitë e djathta politike të mblidhen në një tryezë të përbashkët, ku do të diskutohen dhe përcaktohen linjat që do të ndiqen për të mundësuar fitoren e zgjedhjeve. Pritet që tryezën ta thërrasë Kryeministri Sali Berisha, njëherësh kryetar i partisë më të madhe të spektrit të djathtë politik.

Qëndrimi i Preç Zogaj

PD ka nevojë për aleatë të fortë në zgjedhje

Deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj, deklaron se partitë aleate të djathta duhet të tregojnë vlerat e tyre në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Në një prononcim për mediat, ligjvënësi demokrat thekson se për të arritur një qeverisje të qëndrueshme pas zgjedhjeve të 28 qershorit, Partisë Demokratike i duhen aleatë, të cilët mund të marrin një numër të konsiderueshëm deputetësh. Kështu, demokratët duket se po lëshojnë sinjalet e para, përmes së cilave u kërkohet aleatëve një kontribut real në koalicionin zgjedhor. Kështu, përballë pretendimeve të partive të vogla të djathta për një formulë bashkëpunimi që iu garanton atyre sa më shumë mandate deputetësh, vetë demokratët kërkojnë një aleat, i cili mund të sigurojë vetëpërfaqësimin në Parlament. Një gjë të tillë ka nënvizuar deputeti Zogaj. Në vlerësimet e tij ai thekson faktin se partitë e djathta duhet të tregojnë aftësinë dhe pjekurinë politike, e cila do të përkthehet në fitoren e një numri deputetësh në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›