Dy kosovarë të arrestuar nga skema mashtruese

Akuzohen për vjedhje nëpërmjet mashtrimit të më shumë se 300 personave në Shqipëri, duke iu premtuar dy herë më shumë
Anëtarët e rinj paguanin deri në 2200 euro. Për të marrë, prapë paratë duhej të sillnin tre vetë dhe për të fituar pesë
TIRANE- Dy persona nga Kosova, të dyshuar si drejtues të një organizate që funksiononte në formën e skemës piramidale u arrestuan nga Antikrimi Ekonomik i Policisë së Shtetit, ndërsa dyshohet se kanë mashtruar qytetarë të ndryshëm duke iu premtuar se do të bëheshin aksionerë të një shoqërie biznesi me qendër në Shkup të Maqedonisë.
Valon Kyçyku, 35 vjeç nga Prizreni dhe Burim Elez Haxhiolli, 31 vjeç nga Suhareka e Kosovës, u arrestuan nga Policia e Shtetit në një operacion të zhvilluar mbrëmjen e të
mërkurës në kryeqytet, në një lokal luksoz në rrugën e Elbasanit.
Të arrestuarit janë ndaluar në ambientet e kompleksit luksoz, në një nga sallat e konferencave të tij, ndërsa kishin mbledhur në sallën e konferencave edhe rreth 150 persona të tjerë, që sipas policisë, ishin anëtarë që trajnoheshin për të thithur anëtarë të tjerë në skemën e mashtrimit. Shumica e personave që kanë rënë pre e mashtrimit, sipas policisë, janë njerëz të thjeshtë pa arsim dhe me nivel të ulët informacioni dhe kulture, duke u bërë lehtësisht të manipulueshëm.
"Euro Life", sipas burimeve të policisë mësohet se fondacioni me qendër në Shkup, rekrutonte njerëz të ndryshëm nga vendet e rajonit, kryesisht Shqipëri, Maqedoni, e Kosovë, kundrej një pagese që kapte shifrën e rreth 2200 eurove.
Të mashtruarit që për të marrë paratë që kishin paguar më parë duhej të sillnin në organizatë së paku tre vetë, dhe për të fituar duhej të sillnin më tepër se pesë vetë. Numri i personave që kanë arritur të anëtarësohen sipas burimeve të policisë është rreth 300 persona.
Nga këta, vetëm 90 persona kanë arritur të marrin paratë e tyre dhe prej këtyre 90 personave vetëm një pjesë prej rreth 30 personash afërsisht, kanë mundur të përfitojnë dhe të nxjerrin një farë shume të konsiderueshme për xhepat e tyre nga anëtarësimet e reja. Çdokush mund të bëhej, anëtar i organizatës e cila thuajse funksiononte në formën e një shoqërie të fshehtë.
Anëtarësimi realizohej pasi të ishe ftuar nga një anëtar i organizatës, i cili gjithashtu kishte paguar më parë shumën e parave. Pasi ftoheshe për t'u anëtarësuar, kandidatit i mundësohej një udhëtim në Maqedoni, kundrejt një pagese prej 15 euro, pagesë e nevojshme për rrugën. Në Shkup të Maqedonisë personat njiheshin me një material të shkruar që kishte dy vëllime me formatin e një libri i cili fliste për fondacionin "Euro Life".
Në këto dy botime pa autor, sipas hetuesve, jepeshin informacione të ndryshme përpunuese që flisnin për fenë, rregullat të ndryshme të një biznesi dhe rregulla të ndryshme shoqërore të nevojshme për njeriun në jetë. Të tilla tekste sipas hetuesve jepeshin me qëllim që personave t'iu krijohej një besim që nisma që ata kishin marrë të bëhej sa më e besueshme dhe sa më serioze.
Pas kthimit nga Maqedonia, ku personat ishin trajnuar në një seminar, atyre iu lindte e drejta të anëtarësosheshin në shoqatë, por duhej të paguanin nëpërmjet bankës shumën e rreth 2200 eurove, në një bankë të nivelit të dytë në vend dhe më pas paratë duhej të transferoheshin në llogaritë bankare të "Euro Life" në Maqedoni. Kështu ata ishin anëtarë tyë shoqatës, por që ata të quheshin aktivë dhe të përfitonin duhej të merrnin pjesë në takime të ndryshme që organizonte "Euro Life", në Tiranë.
Konferenca
Drejtuesit e organizatës, me sistem hierearkie
Në momentin e ndërhyrjes në konferencën që mbahej me këtë rast, agjentët e policisë kanë vënë re se pjesëmarrësit meshkuj ishin të veshur me kostum, ndërsa femrat me veshje serioze duke plotësuar në këtë mënyrë kushtin e pjesëmarrjes në një aktivitet që atyre iu reklamohej si fitimprurës dhe si sipërmarrje serioze.
Femrave nuk iu lejohej të hynin në konferencën me veshje të shkurtëra dhe provokuese, ndërsa meshkujt duhej të ishin me kostum. Në sallë policia ka vërejtur edhe dy tekste me përmbajtje mbi mënyrën se si sipas organizatorëve, dikush mund të arrinte të pasurohej apo të ishte i sukseshëm në jetë.
Këto materiale sipas burimeve të policisë iu shpërndaheshin personave me qëllim vënien e personave përpara fakteve të një organizimi serioz të studiuar. Kjo duket se iu ka dhënë më shumë besim anëtarëve të vjetër por edhe atyre të rinj kishin hyrë në shoqatë.
Vetë drejtuesit dhe organizatorët e konferencës ishin edhe të titulluar me grada nga shoqata e mësipërme, duke krijuar një hierarki brenda saj, nga shkalla më e ulët deri në katër apo pesë shkallë në formën e piramidës.
Madje shumica e personave të shoqëruar kanë shprehur habinë e tyre përpara punonjësve të policisë kur ata i kanë marrë drejtori. Kjo sipas tyre ishte një skemë e mirëfilltë përfitimi e drejtë dhe pa shumë mundim. Një qëndrim të tillë ata e kanë mbajtur përpara hetuesve të policisë edhe kur këta iu kanë sqaruar se nuk bëhej fjalë për përfitim, por për një skemë mashtrimi e ngjashme me ato piramidale.
Në fund policia për shumë prej personave që kishin mundur të nxirrnin përfitim nga skema ka dërguar materialet hetimore në prokurori, me akuzën e vjedhjes nëpërmjet mashtrimit, por thuajse të gjitha prokuroria i ka kthyer në materiale që duhen të hetohen pasi ata janë vetë të mashtruar, duke konkluduar vetëm me arrestimin e dy personave.
Sekuestrimet
Bllokohen 3 mjete dhe llogaritë bankare
Menjëherë pas ndalimit të dy personave në kushte të flagrancës, hetuesit e Policisë së Shtetit, iu bllokuan dy personave dy autovetura luksoze, një prej të cilëve "Audi" Q7 me targa të Kosovës, si dhe dy mjete të tjera. Gjithashtu policia iu ka sekuestruar personave edhe rreth 10 aparate telefonash celularë që mendohet se iu përkisnin disa prej personave më të rëndësishëm.
Po kështu më parë, policia kishte nisur në bashkëpunim me prokurorinë ngrirjen e llogarive bankare dhe transfertave të identifikuara nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, drejt llogarive të shoqërisë "Euro Life", me seli në Shkup të Maqedonisë. Janë më tepër se 200 llogari që policia ka kërkuar ngrirjen e tyre për interes të kësaj shoqërie në Shkup, por burimet pohuan se lista e tyre mund të jetë disa herë më e gjatë.
Për këtë fakt, hetuesit e policisë shqiptare dhe prokuroria po kërkojnë blloqe dhe lista dhe blloqe të ndryshme ku mund të jenë shënuar emrat e personave që kanë paguar para në llogaritë e fondacionit maqedonas, me qëllim anëatarësimin e tyre në të. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ftoi dje qytetarët shqiptarë që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien viktimë e mashtrimeve të këtij lloji.