E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy krime në prag feste, vritet një 50-vjeçar dhe një i moshuar

 LEZHE/SHIJAK – Dy persona vriten me thikë në ditët e fundit të këtij viti. Një prej viktimave është shënuar mesnatën e së hënës në Lezhë, i ekzekutuar nga persona ende të panjohur, ndërsa tjetri mbrëmjen e djeshme në Shijak, i qëlluar me thikë nga shoku i tij. Viktima e parë është Lekë Biba, 50 vjeç, banor i fshatit Kashnjet të Lezhës. Trupi i tij u gjet buzë lumit Mat, në afërsi të urës së Milotit, ndërsa pak metra më tutje ndodhej makina e tij. Bashkë me të ndodhej dhe i biri 28-vjeçar, Shkëlzen Biba, i cili pohoi se është rrahur nga autorët. Mësohet se viktima, bashkë me të birin, po kthehej nga Shkodra për në Lezhë kur një telefonatë e papritur e ka çuar në Milot. “Në orën 22:00 u nisëm bashkë me babanë nga Shkodra. Para se të niseshim babai komunikoi me një person në telefon tre herë, duke e lënë me të që të takoheshim tek ura e Milotit në Kurbin. Ai nuk më tregoi se kush ishin. Pasi erdhëm në hyrje të urës, babai ndali makinën. Të tre personat që po e prisnin u afruan tek makina dhe i kërkuan që të zbriste prej saj në mënyrë që të komunikonin në tokë. Ai ashtu veproi. Unë nuk i njihja asnjërin prej tyre, ndonëse ata ishin pa maska”. Kështu është shprehur për grupin e hetimit i vetmi dëshmitar i kësaj ngjarjeje i cili është djali i viktimës. “Pasi komunikuan për pak minuta, tre personat filluan të qëllonin babanë me thikë pas koke, derisa e lanë të vdekur në vend. Më pas, ata më keqtrajtuan edhe mua, duke më lanë pa ndjenja. Jam përmendur vetëm në spitalin e Lezhës”, është shprehur i riu. Aktualisht, grupi i hetimit është duke verifikuar tabulatet telefonike, në mënyrë që të identifikojë thirrjet e fundit të viktimës. Viktima e dytë është një 70-vjeçar nga Shijaku, me inicialet D.M., i cili është qëlluar rreth 10 herë me thikë nga një shoku i tij 62-vjeçar. Të paktën ky është dyshimi i policisë, duke shoqëruar të zotin e shtëpisë ku ndodhi ngjarja, Zyhdi Xhafën. Policia e Shijakut pohoi dje se e kanë shoqëruar Xhafën, por nuk është bërë e mundur marrja e tij në pyetje, për shkak të gjendjes tejet të dehur. Pritet që pas disa orësh të mund të zbardhet krimi mes dy të moshuarve. r.n/o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›