E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja e zyrës së PS,8 persona në verifikim

 DURRES - Grabitja e selisë rozë e ka vendosur përpara një sprove policinë e Durrësit. Grupet e hetimit janë mobilizuar në maksimum, duke gjurmuar keqbërësit në çdo skutë të qytetit. Hetuesit kanë shoqëruar orët e fundit 8 persona, të cilëve po u krahasohen shenjat e gishtërinjve me ato të mbledhura në selinë e dhunuar të PS-së. “Asnjë prej tyre nuk është momentalisht i dyshuar për krimin, por përmes metodave speciale të hetimit, jemi duke mbledhur informacion të detajuar mbi vjedhjen në selinë socialiste të Durrësit”, thanë burimet policore. Sipas gjasave numri i të shoqëruarve në polici për ngjarjen do të rritet, derisa të zbardhen identitetet e grabitësve. Burimet policore thanë se brenda një kohe të shkurtër grabitësit do të jenë në dispozicion të drejtësisë për gjykim. Duke analizuar mekanizmin e vjedhjes, hetuesit e policisë së Durrësit kanë dyshime të forta se ajo është kryer për motive ordinere. Ndonëse për një çështje të tillë kaq të ndjeshme, hetuesit nuk janë prononcuar në mënyrë të prerë, konkluzionet shkencore të policisë të çojnë në pistën e një grabitje të rëndomtë. “Duke analizuar me shumë kujdes mekanizmin e vjedhjes mendohet se ajo është ordinere. I njëjti mekanizëm është përdorur rëndom gjatë vjedhjeve të tjera në javët e fundit në qytet”, thanë për gazetën burime nga grupi i hetimit. Vjedhësit kanë lënë në vendngjarje shumë shenja gishtërinjsh, çka nënkupton se kemi të bëjmë me një grup diletant, që veç kësaj kanë bastisur zyrat e PS-së, duke marrë që aty sende që mund të shiten me “skonto” në tregun e zi si kompjuter, televizor, aparatin dixhitalb dhe mjaft CD. Dëmi i shkaktuar arrin shumën e 250 mijë lekëve. o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›