E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy kushërinjtë Veliaj përplasen në KQZ

Autori i Lajmit: red.
Rezultati i zgjedhjeve të 28 Qershorit vazhdon të mbetet peng i qarkut të Lezhës dhe të Fierit, por ndërkohë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk kanë munguar dhe ankimimet e para që kontestojnë rezultatet në zona të ndryshme. Partia Republikane ka ankimuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve parregullsitë e vërejtura në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve numër 1, 2 dhe 3 në qarkun e Beratit. Sipas saj, ka pasur abuzime dhe parregullsi, të cilat kanë dëmtuar republikanët. Parregullsitë dhe problemet në këtë qark janë theksuar dy ditë më parë dhe nga kryesuesi i listës së Partisë G99, Pilo Këri. Ai ka akuzuar Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste se kanë abuzuar me votat e kësaj partie për t ia dhënë ato Partisë Republikane. Akuzat e ndërsjella vënë përballë dy kushërinjtë, kandidatin që kryeson listën e republikanëve në këtë qark, Astrit Veliaj dhe kushëririn e tij që kryeson partinë G99, Erion Veliaj. Dy kushërinjtë jo vetëm që nuk kanë kandiduar për të njëjtën parti, por janë pozicionuar dhe në koalicione të ndryshme partiake, njëri në mazhorancë e tjetri në opozitë. PR ka dorëzuar dje në KQZ ankimimin e saj, ndërsa akuzat e kandidatit për deputet të G99, i cili nuk mundi të siguronte një mandat deputeti, edhe pse ishte në krye të listës, Pilo Këri janë bërë dy ditë më parë. I pyetur për pamundësinë e fitores së një mandati, Këri ka pohuar se shkaku i parë ishte Kodi Zgjedhor që teknicienët dhe persona të veçantë në PS, nuk e hartuan për të mirë të PS-së dhe të së majtës shqiptare, por bënë një kod në interesin e tyre personal. Persona që janë marrë me këtë kod kanë gjykuar vetëm vendin e tyre në lista proporcionale të partisë, pasi në mazhoritar ata nuk do të gjenin asnjë mbështetje në elektorat dhe kjo do të përbënte dhe fundin e tyre politik. Këri e ka konkretizuar akuzën e tij duke pohuar se shumë vota të G99 i janë dhënë PR-së. “Kam bindje të plotë se numërimi i votës ka qenë jashtë kontrollit dhe shumë vota të dhëna për G99 janë numëruar nga komisionerët, me urdhër, jo për PS, sepse kjo do të ishte gjysma e së keqes, por janë numëruar si vota për partitë e djathta, kryesisht për Partinë Republikane. Në Urën Vajgurore, nga 16 mijë votues, 1441 fletë votimi kanë dalë të pavlefshme, ose 9.5% e votave në këtë KZAZ”, - ka pohuar ai.

Ky lajm është publikuar: 04/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›