E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezultati surprizë, “Aleanca për Ndryshim” 71 mandate

Autori i Lajmit: Suela Topi
Ndarja e mandateve

Koalicioni i djathtë ka fituar mazhorancën. Ky është rezultati paraprak i publikuar dje nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli. Sipas tij koalicioni “Aleanca e ndryshimit” ka mundur të marrë plot 71 mandate, “Bashkimi për Ndryshim” 65 mandate dhe “Aleanca Socialiste për Integrim” 4 mandate. Rezultati surprizë duket se ka lidhje me Fierin ku sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Olli, Partia Demokratike ka 7 jo 6 mandate sa konsiderohej deri tani ndërsa Partia Socialiste ka vetëm 8 mandate. Dhe një mandat e ka koalicioni “Lëvizja Socialiste për Integrim”. I pyetur për këtë ndarje, Olli tha se në bazë të llogaritjeve të bëra pa përfshirë kutitë e Fierit të ardhura në KQZ, ky është rezultati. Por anëtarët e Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë çuditur nga këto vlerësime. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, e konsideroi si absurd një deklarim të tillë për sa kohë që komisioni po vazhdon ende me numërimin e votave dhe nuk ka bërë asnjë certifikim rezultatesh.
Rezultati surprizë
Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor publikon rezultatin paraprak të zgjedhjeve, në bazë të të dhënave të kutive të numëruara deri mbrëmjen e djeshme. Kështu, KQZ-ja ka bërë të ditur paraprakisht se koalicioni “Aleanca e Ndryshimit” ka siguruar 71 mandate kundrejt 65 mandateve të “Bashkimit për Ndryshim” dhe 4 mandate të “Aleancës Socialiste për Integrim”. Olli theksoi se nga 4703 kuti të numëruara deri në orën 22:00 koalicioni i djathtë rezulton të ketë 46.69 për qind të votave, ndërsa “Bashkimi për Ndryshim” 45.36 për qind. “Aleanca Socialiste për Integrim” ka siguruar 5.56 për qind të votave. Por këto deklarata nuk janë konsideruar të drejta nga nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi. Ajo pohoi se është për të ardhur keq në një kohë që KQZ numëron ende për fletët e votimit dalin rezultate të tilla. Sipas saj, rezultatet nuk janë të mbyllura, KQZ nuk ka marrë asnjë vendim për asnjë tabelë, për asnjë qark dhe për asnjë zonë. “Çështja e ndarjes së mandateve është procedurë e fundit pas vendimmarrjes së KQZ-së. Unë e shikoj në kundërshtim me ligjin, me procedurat, por dhe me të dhënat zyrtare të këtij institucioni. Ky është qëndrimi i tij, jo i institucionit”, - tha ajo. Sipas numrit dy të KQZ-së, subjektet respektive kanë tërësisht të drejtë të reagojnë për një rezultat të tillë në një kohë që në mënyrë joligjore publikohen rezultate. “Do bashkohem me këtë reagim për këto shkaqe ligjore që i përmenda. Është çështje e madhe e funksionimit të institucionit tonë se zëdhënësi nuk përfaqëson vetveten, po institucionin”, - tha ajo, ndërsa theksoi se të dhënat e publikuara nga Olli nuk janë rezultat i një vendimi të KQZ-së. Subashi ritheksoi se nuk mund të ketë rezultat qoftë ky edhe paraprak, nëse nuk përfundojnë tërësisht procedurat ligjore. Ajo saktësoi gjithashtu se për kutitë e Fierit që kanë mbërritur në KQZ nuk ka asnjë vendim, madje nuk janë futur as në rend dite. Tri ditë më parë kanë mbërritur në KQZ 3 kutitë e votimit të KZAZ-së 20 të Fierit. Ndërsa dje kanë ardhur edhe 3 kuti me fletë votimi të KZAZ nr 18, 1 kuti e KZAZ nr 22 e Lushnjës. Edhe këto kuti do të numërohen nga KQZ pasi komisionerët e KZAZ-ve përkatëse hasën në parregullsi dhe kërkuan që numërimi të kryhet nga KQZ.

Ky lajm është publikuar: 04/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›