E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dy lagje të rrezikuara nga epidemitë e plehrave

10/05/2005  Hedhja e mbeturinave

SHKODËR - Shqetësimeve të vazhdueshme që paraqisnin banorët e lagjes pranë Varrezave të Dëshmorëve, në lidhje me hedhjen e mbeturinave të qytetit të Shkodrës, në këtë zonë, që është kthyer në një zonë banimi nga të ardhurit, tashmë i është shtuar edhe një zonë tjetër, pak më tutje saj. Bëhet fjalë për lagjen “Bleran” të komunës Rrethina, pranë fshatit Bardhaj, rreth 2 km nga qyteti i Shkodrës. Banorët pranë Varrezave të Dëshmorëve, dy vitet e fundit janë ankuar dhe kanë reaguar ndjeshëm, duke kërkuar që Bashkia e Shkodrës të marrë masat dhe të gjejë një vend tjetër për hedhjen e mbeturinave të qytetit, sepse hedhja e mbeturinave në atë vend, pranë banesave të tyre, është bërë shkaktare sëmundjesh, sidomos gjatë periudhës së verës.

Përveç kësaj është bërë e pamundur të jetohet në atë zonë, për shkak të djegieve të mbeturinave natën, gjë që përhap një erë mbytëse për gjithë komunitetin.

Lidhur me këtë problem, Bashkia Shkodër kishte gjetur një tokë larg qendrave të banuara, në fshatin Bushat dhe kishte bërë projektin e duhur, por mungesa e fondeve të premtuara, bëri që gjendja të mbetej e njëjtë. Por jo vetëm kaq. Tashmë ky problem ka përfshirë edhe 4000 banorët e lagjes “Bleran”, të cilët muajt e fundit po jetojnë në mes të mbeturinave të hedhura në lagjen e tyre nga persona të papërgjegjshëm apo edhe firma të ndryshme. Banorët e kësaj zone shprehen se në lagjen e tyre, janë hedhur mbeturina të ndryshme dhe më të shumtë janë artikujt ushqimorë, që janë duke sjellë një ndotje të madhe dhe të shpejtë të ambientit. Mbeturinat e hedhura kanë filluar të ngushtojnë shtratin e lumit Kir dhe janë afruar ndjeshëm shtëpive.

Banori i lagjes “Bleran”, Gjin Pjetri, shprehet se banorët e këtyre zonave të frikësuar edhe nga rritja e temperaturave kanë kërkuar nga komuna e Rrethinave që të marrin masa të menjëhershme, për largimin e këtyre mbeturinave si dhe ndalimin e hedhjes së tyre në këtë lagje, në mënyrë që të eliminohet rreziku i sëmundjeve të ndryshme.

Sëmundje këto që u vunë re sidomos gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar dhe janar të këtij viti, ku si rezultat i këtyre mbeturinave u prekën nga hepatiti rreth 30 fëmijë nga lagjet “Bleran” e fshati Bardhaj. Përveç mbeturinave ushqimore, tani firma të ndryshme ndërtimi kanë filluar që të hedhin dhe inerte, të cilat po e deformojnë shtratin e lumit dhe uji i tij sa vjen e po i afrohet banesave.

Por, shprehet Pjetri, këto ditë, përveç kamionëve të firmave, janë vënë re edhe kamionë të ushtrisë, që kanë hedhur mbeturina inerte në këtë zonë, gjë që ka bërë që uji të afrohet pranë shtëpive, duke marrë pjesë nga toka dhe duke i dobësuar themelet e këtyre shtëpive.

Përveç këtyre problemeve, tashmë shqetësues, ashtu si te zona e Varrezave të Dëshmorëve, është bërë edhe tymi dhe era e rëndë që kundërmon në këtë zonë, shkaktuar kjo nga djegia e mbeturinave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›