E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Po humbasim vendin e punës”

10/05/2005  Emigrantët radhë të gjata në Kapshticë, policia greke asnjë sportel më shumë

KAPSHTICE - Radhë të gjata në doganën greke të Kapshticës. Pritja para sporteleve ka shkuar në gati 14 orë. Rreth 20 mijë emigrantë kanë mundur të largohen mes të njëjtave vështirësi. Në 24 orët e fundit kanë kaluar 2500 emigrantë të tjerë. Në pritje janë mbi 200 automjete dhe mijëra emigrantë. Policia greke nuk i përgjigjet në kohë fluksit në rritje të emigrantëve.

Krejt ndryshe ndodh në doganën shqiptare të Kapshticës, ku një menaxhim i mirë i situatës ka eliminuar pritjet e pajustifikuara.

Sipas emigrantëve tanë, gjendja e krijuar para sporteleve të doganës greke të Kapshticës ka ngjallur mjaft konfuzion. Rregullat e vendosura nga pala greke në verifikim të dokumentacionit të emigrantëve, më së shumti ka shtuar radhët e gjata dhe pritjet pa fund. “Duhet të kalojë një autobus dhe një makinë”, ky është rregulli që ka vendosur pala greke, thonë emigrantët. Veç kësaj, nga dogana greke e Kapshticës nuk janë shtuar sportele të tjerë.

Kjo gjendje është pohuar edhe nga komandanti i policisë në doganën e Kapshticës, Ylli Gaxhi, i cili sqaroi se ka mjaft vonesa gjatë verifikimit të dokumentacionit.

Përballë kësaj situate, emigrantët janë shprehur të shqetësuar se po humbasin vendin e punës. Sipas tyre, ata duhet të ishin në shtetin fqinj që një ditë më parë. Ka nga ata që kanë gati dy ditë në pritje pa mundur të kalojnë.

Me të njëjtin shqetësim emigrantët pohojnë se dogana greke e Kapshticës nuk ka për të ndryshuar ndonjëherë në këtë drejtim, edhe pse u është premtuar vazhdimisht për të kundërtën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›