E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Vasil Hila viktimë e manipulimit të dëshmitarit”

10/05/2005  Avokatët kërkojnë pafajësi për klientët e tyre

DURRES - Avokati mbrojtës i Vasil Hilës, ish-kryetarit të komisionit të kthimit të pronave në Durrës, i cili gjykohet në Gjykatën e Shkallës së Parë për veprën penale të falsifikimit, mashtrimit dhe shpërdorimit të detyrës, ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e ngritura nga prokuroria ndaj klientit të tij. Avokati Baftjar Rusi, nuk ka pranuar asnjë nga akuzat, të cilat implikojnë në shkeljen e ligjit në kthimin e kompensimin e pronave Vasil Hilën, duke e cilësuar Hilën viktimë të manipulimit të dëshmitarëve nga ana e akuzës.

Për avokatin, por edhe për vet të akuzuarin Vasil Hila, “dëshmitari Tomorr Kokomani është i manipuluar nga prokuroria”. Kokomani ka deklaruar pas arrestimit të tij, dy muaj më parë, se Vasil Hila e kishte detyruar që një pjesë të pronave që ai i kishte përfituar nga vendimi i komisionit t’i kalonte për llogari të shtetasve të tjerë, ndërkohë që ka pohuar para drejtësisë se ka kryer 180 mijë dollarë transfertë parash në një bankë amerikane, për llogari të një të afërmi të Hilës.

Dje, kanë mbrojtur klientët e tyre edhe avokatët e të gjykuarve në të njëjtin proces, të cilët kanë kërkuar pafajësi.

Më 21 prill, prokurorët Ferdinand Elezi dhe Elena Bakëllbashi në pretencën e tyre kanë kërkuar 23 vite heqje lirie për Hilën, pasi ata e kanë akuzuar ish-kreun e komisionit të kthimit e kompensimit të pronave për një dëm ekonomik në shumën 338.5 milionë lekë. Në të njëjtën seancë, akuza ka kërkuar që sekretarja e komisionit, Anila Rrapi, të dënohet me 3 vjet burg, kurse inspektorët e KLSH, Servet Gaba e Selman Hysi me 600 mijë lekë gjobë dhe Seit Spahiu me 300 mijë lekë gjobë.

Pretenca e prokurorisë

Vasil Hila

12 vjet burg

për falsifikim dokumentesh zyrtare si formularë, vula, stampa etj

15 vjet burg e 5 milionë lekë gjobë

për vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës dhe dënim

9 vjet burg për shpërdorim detyre

23 vjet burg gjithsej, në bashkim të dënimeve

Anila Rrapi fajtore

3 vjet burg për falsifikim formularësh

Sërvet Gaba 600 mijë lekë gjobë për shpërdorim detyre

Selman Hysaj 600 mijë lekë gjobë për shpërdorim detyre

Seit Spahiu 300 mijë lekë gjobë për shpërdorim detyre

Akuza të reja për ish-kreun e komisoionit të pronave

Vasil Hila, së shpejti në një tjetër gjykim

DURRËS - Prokurorët Ferdinad Elezi si dhe Elena Bakëllbashi kanë

deklaruar dy senanca më parë se Vasil Hila do të dalë përsëri para togave të zeza për të tjera akuza. Ndërkohë që ata kanë kërkuar 23 vite burg për Hilën dhe gjobë 5 milionë lekë, Elezi është shprehur se pas gjykimit për këto akuza do të hapet një procedim tjetër.

Sipas tij, prokuroria ka përgatitur një dosje tjetër dhe bëhet fjalë për akuzën e mitmarrjes dhe pastrimit të parave. Nga deklarimi i prokurorit thuhet se vetëm Tomorr Kokomani është

kompensuar 17 herë, ndërkohë që komisioni i kryesuar prej tij ka lënë jashtë diskutimi më shumë se 900 ish-pronarë, dosjet e të cilëve janë arkivuar në komision. Kjo i ka shërbyer prokurorisë të akuzojë për mitmarrje Vasil Hilën. Krahas këtij fakti edhe

deklarimi i Kokomanit, i cili do të gjykohet në seancë më vete për akuzën e falsifikimit, dhe pohimet e tij se ka bërë transfertë parash, e kanë shtyrë prokurorinë të fajësojë Hilën për pastrim parash.

Akuzat

“Shpërdorim detyre”

“Falsifikim dokumentesh”

“Vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës”

“Fshehje e falsifikimeve”

Dëmet

150 mijë metër katrorë tokë

kompensuar në mënyrë të paligjshme

89 mijë metra katrorë tokë

kompensuar në mënyrë të paligjshme në zonën e Plazhit

378 041 000 lekë

dëmi i llogaritur

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›