E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Qeveria na këkroi projekte, por lekë s’na dha”

10/05/2005  Artan Haxhi, zhgënim në lidhje me premtimet e parealizuara për investimet

SHKODER - Qeveria nuk mban premtimet e fillimvitit. Kanë kaluar 4 muaj nga premtimet e bujshme të qeverisë dhe deri tani asnjë fond i kërkuar për investimet e domosdoshme, nuk ka mbërritur pranë Bashkisë Shkodër. Ky ka qenë edhe prononcimi zyrtar për gazetën “Metropol” i kryetarit të kësaj bashkie, Artan Haxhi.

Në mesin e muajit janar, pas një sensibilizimi të opinionit publik dhe të përfaqësuesve diplomatik, të bërë nga Bashkia Shkodër, mbërriti në Bashki dhe në Qark, një përfaqësi nga qeveria, e cila kishte si qëllim të vihej në dijeni se cilat ishin nevojat dhe projektetet e gatshme të Bashkisë Shkodër, në mënyrë që qeveria të angazhohej në akordimin e fondeve për të plotësuar kërkesat, nevojat dhe projektet e hartuara. Delegacioni i ardhur nga qeveria, kishte në përbërje të tij përfaqësuesit e Ministrive të Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, Transportit dhe Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, në rang zv.ministrash dhe drejtorë drejtorish.

Këta përfaqësues të qeverisë, të cilët drejtoheshin nga zv.ministri i Pushtetit Vendor, Paqsor Zeneli, deklaruan përpara drejtuesve lokalë dhe mediave se këtë vit qeveria do ta shikojë qytetin e Shkodrës me një përparësi të veçantë dhe ndryshimet do të jenë të dukshme.

Në lidhje me kërkesat e bëra nga Bashkia dhe mbajtjen e premtimeve nga ana e qeverisë për akordimin e këtyre fondeve, është prononcuar kryetari i Bashkisë Shkodër, Artan Haxhi.

Sa janë fondet e ardhura nga qeveria, 4 muaj pas premtimeve të përfaqësuesve të tyre?

Niveli i fondeve të ardhura, që na u premtuan në fillim të këtij viti, është zero. Megjithë premtimet e bujshme që na u bënë, Bashkia e Shkodrës nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga asnjë ministri, për projektet që i ofroi qeverisë, madje për këto projekte nuk u përfitua asnjë lekë edhe nga buxheti i shtetit për vitin 2005. Pra, e gjitha kjo mbeti vetëm në kuadrin e një fasade politike që me kalimin e kohës erdhi duke u sfumuar.

Konkretisht, çfarë i kërkuat përfaqësuesve të qeverisë?

U përqëndruam në disa pika të rëndësishme dhe emergjente, që e shqetësonin Bashkinë tonë, dhe më konkretisht, këto pika kanë patur të bëjnë më një investim për vendgrumbullimin e mbetjeve urbane që nga viti në vit vjen duke u bërë problem e më shqetësues për Bashkinë e Shkodrës, me një investim për rikonstruksionin e pendës mbi lumin Kir, i cili gjatë përmbytjeve të fundit, shkaktoi dëme të pallogaritshme. Investim ky që kërkon akordimin e një fondi prej 85 milionë lekësh. Një pikë tjetër e kërkuar nga Bashkia jonë ka qenë dhe për një investim për vazhdimin e projektit mbi lumin Drin, në mënyrë që të eliminohen gërryerjet që shkakton ky lum, pranë lagjes “Bahçallek”, si pasojë e të cilave shkaktohen edhe përmbytjet e herëpashershme. Përfaqësuesve të qeverisë iu kërkuam dhe fonde për një investim mbi projektet e infrastrukturës rrugore, gjithmonë duke pasur parasysh nevojat më emergjente, siç është nevoja për ndërhyrje te një rrugë në lagjen Kiras, ku duhet një fond prej 22 milionë lekësh. Në kuadër përsëri të kësaj infrastrukture, është kërkuar investim për rikonstruksionin e një segmenti të Unazës së qytetit, ku është llogaritur edhe vlera e nevojshme që kap shifrën rreth 300 milionë lekë, si dhe tri rrugë mjaft të rëndësishme të qytetit të Shkodrës siç janë zona industriale në dy drejtimet e saj dhe rruga e lagjes “Skënderbeg”. Grupit të zëvendësministrave dhe drejtorëve të drejtorive të ministrive që erdhën iu kërkuam si emergjente dhe krijimin e një fondi për të investuar në lidhje me zgjerimin e sipërfaqes së varrezave aktuale të qytetit, pasi sipërfaqja aktuale e varrezave është e pamjaftueshme dhe drejt ezaurimit.

Çfarë ju premtuan përfaqësuesit e qeverisë?

Përfaqësuesit e delegacionit qeveritar, të cilët u shprehën se ishin dërguar në Shkodër direkt nga Kryeministri, në kuadër të përqëndrimit të vëmendjes së qeverisë në qytetin e Shkodrës, pa marrë parasysh bindjet politike të elektoratit shkodran, të treguara këto në vite nga rezultatet e votimeve, i mbajtën shënim me kujdes të gjitha kërkesat e drejta tonat dhe deklaruan se gjer në fund të shkurtit çdo gjë do të ishte gati, por, fatkeqësisht, deri tani nuk ka ardhur asgjë konkrete.

Mos ndoshta është faji i Bashkisë, për mosdërgim projektesh, siç është pretenduar gjithmonë nga qeveria këto vitet e fundit?

Shpesh herë është abuzuar në këtë drejtim. Por unë po ju garantoj se për të gjitha ato çfarë i kemi kërkuar përfaqësuesve të qeverisë, kemi pasur projektet përkatëse, madje këto projekte janë hartuar edhe me ndihmën e konsulentëve të huaj. Bashkia Shkodër, për çdo nevojë që paraqitet dhe ka nevojë për projekte, i ka njerëzit e duhur dhe jemi të gatshëm të hartojmë projekte në çdo drejtim që do të na ofrohen investime. Por e përsëris edhe njëherë se gjer më sot nuk ka mbërritur anjë qindarkë, qoftë nga premtimet e bërë në fillim të vitit, qoftë nga buxheti i shtetit për vitin 2005. Gjthçka mbeti si një shou politik, pasi premtimet nuk u realizuan në asnjë zë, nga asnjë ministri, përfaqësuesit e të cilave ishin të pranishëm në fillim të vitit dhe i mësuan nga afër shqetësimet dhe problemet serioze që e shqetësonin Bashkinë dhe popullin e Shkodrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›