E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjendet i mbytur 22-vjeçari, që vrau me sëpatë njerkën e plagosi motrën

10/05/2005  Policia do të hetojë për vetëmbytje apo vrasje të Ermal Dokaj

BERAT- Është gjendur i mbytur, në mëngjesin e djeshëm në rezervuarin e fshatit Panarit, 22-vjeçari Ermal Dokaj, i cili më 26 prill të këtij viti vrau me mjete të forta njerkën dhe plagosi rëndë motrën e tij 16 vjeçe.

Sipas burimeve zyrtare të policisë, të cilat kanë konfirmuar lajmin, mësohet se, në mëngjesin e djeshëm, dy barinjët e fshatit Panarit kanë parë, në anë të rezervuarit, një kokë të zezë. Ata kanë dyshuar rreth identitetit të të mbyturit dhe kanë lajmëruar menjëherë familjarët, të cilët kanë shkuar shumë shpejt drejt vendit të treguar nga dy barinjtë. Pasi kanë parë kufomën me sytë e tyre, ata janë bindur se bëhej fjalë pikërisht për të afërmin e tyre, Ermalin, 22 vjeç, i sëmurë psikik.

Policia

Vetë të afërmit e viktimës të gjetur në rezervuar kanë lajmëruar policinë, e cila ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes së bashku me grupin e ekspertëve dhe mjekun ligjor. Në prani të uniformave blu, banorët e fshatit kanë nxjerrë trupin e pajetë të vrasësit të njerkës nga rezervuari.

Më pas, ekspertët e policisë kanë kryer procedurat e para ligjore dhe kanë marrë në pyetje paraprake barinjtë e fshatit, që kanë parë të parët viktimën dhe më pas të afërmit e familjes dhe babanë e vrasësit.

Po dje, polica ka dërguar trupin e pajetë të vrasësit në morgun e spitalit rajonal të qytetit të Beratit për t’i bërë autopsinë dhe për të nxjerrë mënyrën se si është mbytur 22-vjeçari. Sipas mjekut ligjor, trupi i mbytur i viktimës iu nënshtrua autopsisë, siaps së cilës mësohet se Dokaj ishte vetëmbytur të paktën gjashtë orë pas krimit që ai kishte kryer në banesën e tij.

Po dje, polica ka përpiluar dosjen përkatëse për të hetuar rreth dy pistave, atë të vetëmbytjes, apo nëse viktima është mbytur nga të tjerë.

Krimi

Ngjarja, autori i së cilës ishte Ermal Dokaj, ka ndodhur më 26 prill 2005, rreth orës 23.30. I riu, i cili vuante nga sëmundje mendore dhe ishte me kartelë mjekësore, ka marrë një sopatë dhe ka qëlluar mbi të motrën dhe më pas dhe mbi njerkën. Ai ka lënë të vdekur në vend gruan e dytë të të atit, pasi e kishte goditur në kokë, ndërsa të motrën 16-vjeçare e ka plagosur rëndë, pa mundur që ta vriste, falë ndërhyrjes së shpejtë të të afërmve, të cilët kanë dëgjuar ulërimat e vajzës.

Ngjarja dyshohej se kishte ndodhur pas një grindjeje banale mes të sëmurit mendor dhe motrës së tij. Ermali Dokaj ka qëlluar mbi dy gratë e shtëpisë së tij një mbrëmje që nuk e kishte as të atin në banesë, çka e ka favorizuar më shumë në kryerjen e krimit të rëndë, pasi nuk ka patur se kush ta ndalojë vrullin e tij vrastar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›