E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy libra anglisht të Essat H. Bilalit

Nga Sadri FETIU
Essat H. Bilali është studiues dhe veprimtar shqiptaro-amerikan nga Luma, që ka kryer shkollën e mesme në Prizren dhe në SHBA ka mbaruar studimet për filozofi deri ne gradën master, pastaj për kimi, ku krahas studimit, gjatë punës shumëvjeçare ka patentuar edhe disa zbulime origjinale. Ai rrjedh nga një familje atdhetare të fshatit Bicaj, burrat e se cilës, midis të cilëve edhe i atij i tij, Hamz Bilali, ranë duke luftuar për lirinë e vendit kundër bandave sllavo-komuniste në  Maqedoni. Essati prej njw kohë të gjatë merret me shkrime historike dhe publicistike dhe përpiqet që të japë ndihmesën e vet shkencore për ta ndriçuar me përpikëri shkencore të vërtetën për popullin e tij. Për këtë qëllim ka botuar gjashtë vepra në gjuhën shqipe. Është botues i revistës Dy Drinat që del në Kukës, kurse ne SHBA e boton të përkohshmen dygjuhësore (shqip dhe anglisht) Zëri i së vërtetës. Këto kohët e fundit u shënuan ndihmesa të tjera në veprimtarinë e Essat H. Bilalit. Më 2005 u botua anglisht Lufta për të vërtetën historike të Kosovës I (The Stuggle for the Historical truth of Kosova I), përbërë nga 200 faqe. Kurse sivjet (2008) u botua libri i dytë me titull të njëjtë  The Struggle for the Historical Truth of  Kosova II,  i përbërë nga 300 faqe. Në librin e parë anglisht, studiuesi Essat Bilali paraqitet me një numër temash: studime shkencore, polemika dhe letra në trajtë studimesh dërguar veprimtarëve dhe politikanëve në Amerikë, duke i sqaruar për çështje të ndryshme historike shqiptare në kundërvënie të falsifikimeve serbe për historinë e popullit shqiptar, veçanërisht të Kosovës. Aty spikaten veçanërisht studimet Shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës janë një komb i pandarë, dërguar gazetës The New York Times-it; Sqarime rreth Mesjetës lidhur me shqiptarët e Kosovës, dërguar përfaqësueses Bently të Kongresit Amerikan; Përdorimi i historisë së shtrembëruar, ku i jepet një përgjigje Chris Hedges të New York Tiemes-it për paraqitjen me gabime dhe duke ndjekur dogmat e mitet serbe; Kishat e Kosovës gjatë Kohës së mesme, ku vihet në dukje origjina e tyre shqiptare dhe grabitja e tyre me dhelpëri dhe me dhunë nga sllavët; letër e gjatë Civic Ligës së Dioguardit, duke sqaruar disa çështje historike; punim i gjatë historik Kryengritja e shqiptarëve nën Maqedoni, dërguar Robert L. Barley, redaktor i gazetës The Wall Street Journal-it, përplot me fakte dhe argumente në të mirë të së vërtetës; Përdorimi i historisë së shtrembëruar për të justifikuar pastrimin etnik, një studim i gjatë me fakte e argumente të ngurta kundër zëdhënësit të dhëndrit të Serbisë, David Bindërit, të cilin e përkrahnin edhe disa qyqe shqipfolëse dhe shumë letra në trajtë studimi. Këtu dallohet gjithashtu shkrimi i gjatë me titull Rreth autorit, ku jepen të dhëna për jetën e tij jo veç të mundimshme, por edhe përplot sakrifica në Shqipëri, në Pollog, në Kosovë dhe në Amerikë, si  edhe veprimtaria e në studimet e tija të larta në fushë të filozofisë, duke siguruar edhe magjistraturën dhe të tjera dhe duke mbajtur pozita të larta si shkencëtar në industri. Ndërkaq, libri tjetër, i botuar më 2008, Lufta për të vërtetën historike të Kosovës II (The Struggle for the Historical Truth of Kosova II), përbëhet prej një numri studimesh të historianëve ndër më të shquarit shqiptarë të përkthyer në anglisht. Këto studime, në të vërtetë, janë përkthyer gjatë këtyre 50 vjetëve, sidomos pas 81-shit, të veprimtarisë së tij dhe janë botuar në shtypin e ngulimeve, si në Diellin e Vatrës së Bostonit, në Ish-Illyria të New York-ut dhe në të përkohshmen Zëri i së vërtetës, USA, në Dy Drina, në Shqipëri. Kurse tani janë mbledhur dhe janë botuar në trajtë libri. Qëllimi kryesor i këtyre shkrimeve ka qenë që me penën e fuqishme të studiuesve dhe shkencëtarëve shqiptarë ti kundërvihet në trajtë më bindëse rrenave, shpifjeve, shtrembërimeve dhe falsifikimeve serbe bashkë me kukullat e tyre, ndër të cilët kishte edhe shqipfolës. Një punë e këtillë mungonte në përgjithësi nga shqiptarët, sepse ata nuk kishin kohë ta bëjnë atë duke u grindur midis njeri-tjetrit. Disa nga këta autorë të përmendur i vë në dukej mirë edhe prof. Peter R. Prifti në parathënien e librit, si, Dr. S. Rizaj, me shkathtësi dhe guxim që Kosova ka qenë e banuar han e dan nga shqiptarët dhe kishat e ashtuquajtura serbe kanë qenë shqiptare; dhe Dr. M. Tërnava, jo veç e çon më tej mendimin se Kosova ka qenë e banuar, si Prizreni, gjithmonë me shumicë shqiptare, por vërteton që gjatë mesjetës ai popull ka pasur si gjuhë të veten shqipen dhe Dr. Hivzi Islami, mjeshtër në studimin e popullsisë së kohës së mesme, i kundërvihet falsifikatorit, pas Cvijiçit, më të madh serb, Gjorgjeviçit; akademikët Idriz Ajeti, gjuhëtar i denjë, e ekspozon falsitetin e demokracisë së pushtuesit serb në Kosovë; Mark Krasniqi, demograf, i cili me argumente, plot guxim, e shpalos terrorin dhe egërsinë serbe para syve të Evropës së qytetëruar; Rexhep Qosja, studiues i mirënjohur,  që kërkon me këmbëngulje bashkimin e kombit shqiptar; profesorët Shaban Demiraj, gjuhëtar me nam, i cili duke iu kundërvënë mendimit serb se shqiptarët janë romanizuar gjatë sundimit romak, zbulon me argumente të kundërtën, duke thënë se po të ishte ashtu, shqiptarët nuk do të ishin sot atje ku janë; Kristo Frashëri, historiani prolifik që i cakton kufijtë e Shqipërisë etnike; profesor Alain Ducelier, mjeshtër në histori të Mesjetës, i cili i hedh poshtë me fakte pohimet serbe se shqiptarët janë të ardhur në Kosovë, duke pohuar se historia është në pajtim me realitetin bashkëkohor; Dr Danillo Radojeviç, guximtar që e zbulon origjinën e spastrimit etnik serb; Dr. Esat Stavileci, që rebelohet kundër zvogëlimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni; Dr. Sadri Fetiu,  i cili e vë në pyetje shpikjen e multietnicitetit në Kosovë; Dr. Fadil Sulejmani, gjuhëtari i guximshëm që shpall se të gjithë shqiptarët në ish-Jugosllavinë janë kosovarë; Dr. Rexhep Doçi, gjuhëtar, i cili me plot guxim u kundërvihet falsifikimeve toponimike serbe. Këto dy libra të studiuesit Essat H. Bilali-it, një ndihmesë e mirëfilltë për ti sensibilizuar të huajt për falsifikimet serbe të historisë së shqiptarëve, do të pasohen me një vepër  tjetër Lufta për të vërtetën historike të Kosovës, e cila do të përbëjë librin e tretë, që do të ketë punime të përkthyera anglisht nga shqipja dhe shkrime shkencore origjinale të shkruara nga autori. Me këtë ai do ta çojë më tej përpjekjen e tij shkencore për mbrojtjen e drejtë të çështjes shqiptare. Është vërejtur se duke e shpërndarë librat e tij studiuesve e miqve, autori e dërgon atë me shënimin: Ju përshëndes me dyfekun e luftës sime, të luftës sonë, me të cilën do të thotë se këto libra përbëjnë përpjekjen kryesore të veprimtarisë së tij, të luftës së tij...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›