E Shtunë, 31 Tetor 2026

Himara dhe Troja

Nga Valbona DACI 
Të barabarta në bukuri dhe imazh, njëra mes fjalës së shkruar dhe tjetra mes kaltërsish këto dy vende vijnë nën një përfytyrim hyjnor si diej të pushtuar nga errësira ziliqare, lakmitare, e pangopur greke. Troja e bukur është "memorial i artë" për të përcjellë natyrën hileqare deri në ligësi të një kombi që iu bë "pajë" vendasve të pellazgjisë. Ndërtuar nga një popull identiteti i të cilit megjithë misterin e një vepre të shkruar zbulohet dhe shërben si provë e influencës dhe fuqisë së pasardhësve të ilirëve. Falë autorit apo falë famës së saj "troja" ruan dhe vigjilon popujt, kombet dhe shtetet nga ajo c mund të bëjë një filozofi lufte e pafund  si ajo greke. Nëse Troja e pësoi për shkak të mirëbesimit dhe lojës së pastër, Himara po shndërrohet në një Trojë të dytë dhe kali i Trojës është një kryebashkiak. Ngjashmëria nuk është hipotetike. Prej dy vjetësh që kur ky kryekopuk u vendos në "fron", gjërat kanë rrjedhur në një drejtim të caktuar dhe të llogaritur mirë. Me kartën e mbrojtjes dhe të drejtave të pakicave Greqia po luan lojën e saj të vjetër e të pështirë që gjithmonë i ka dhënë fryte. Në gjithë këtë ngjashmëri ndryshimi i vetëm qëndron tek "viktimat". Nëse trojanët nuk e kishin dëgjuar më parë historinë e kalit të Trojës, ballkanasit e dinë tashmë përfundimin, dhe përsëritja e historisë nuk i bën këta të fundit naivë, por të paaftë. Pas kësaj "troje" që është formuluar, përpunuar dhe reflektuar me veprime dhe mizori konkrete nga pala greke në shekuj, paaftësia e udhëheqësve të një vendi është aq e pafalshme sa tradhtia, madje më keq. Një pjesë prej  tyre e konsiderojnë Bollanon aq të parëndësishëm sa nuk ia vlen të merresh me të, apo ti përmendësh emrin. Nëse ky argumentim nuk është naivitet dhe mefshtësi, i bie që të jetë një evoluim prej fantashkence për ballkanasit e regjur me hiletë greke. Këto të fundit i kapërcejnë kufijtë e një bezdisjeje të vazhdueshme dhe prova më e gjallë është fqinji ynë që në lashtësinë e tij. Nuk është emri që e bën këtë Bollano të rëndësishëm, as fakti që drejton një bashki. Ajo çka fshihet pas tij, momenti historik dhe fakti që Greqia nuk lodhet kurrë së thururi plane me durim prej Penelope e bën të rrezikshëm këtë individ, por edhe këdo që do të ishte në vend të tij. Qeveritë greke me një sjellje të hijshme sallonesh dhe diplomaci të stërholluar po promovojnë fuqishëm një politikë europiane, sikur duan të thonë se e kanë shuar etjen e vjetër, apo babëzinë. Ky është një hap i suksesshëm për një strategji të re dhe të vjetër njëkohësisht, që i shërben ëndrrës së Greqisë së madhe. Me qeveritë shqiptarë duket se ia kanë dalë mbanë, ti bëjnë të besojnë se nuk ka më rrezik. Se Greqia e vjetër shoviniste dhe grabitqare nuk ekziston. Një predikim kishtar thotë se arritja më e madhe e djallit ishte ta bënte botën të besonte se ai nuk ekzistonte. Në këtë copëz të historisë moderne të Ballkanit, mirëbesimi është vrastar. Përjashtimi i tipareve dhe karakteristikave të një kombi si mënyrë e të funksionuarit të politikës së shtetit, është mendësi e kufizuar në argument. Të mos marrësh në konsideratë ambiciet, strategjitë e këtij komb-shteti që mban emrin e ishullit, banoret e të cilit e mirëpriten mijëra vjet më parë (Kretë-Gris) është më tepër se naivitet, është tradhti e hapur. Janë pikërisht strategjitë që nuk u kanë shteruar kurrë fqinjëve tanë. Të themi se nuk i kemi njohur apo provuar? Jo, ata kanë ofruar  mjaftueshëm të dhëna se oreksi nuk u shuhet kurrë as me kalimin e shekujve as me Europën e bashkuar. Sot është një Bollano, nesër do të ketë diçka të re kështu do të jetë gjithmonë. Himara në syrin e një shqiptari me sadopak njohuri nga gjeopolitika është thembra e Akilit. Aty po ndërtohet një kalë Troje i padukshëm, maskuar nën investime dhe fondacione "dashamirëse", me një impakt të fuqishëm në ekonominë e zonës, me pushtimin e pikave strategjike të biznesit. Kështu do të jetë ky kalë "Troje", i shpërbërë dhe i padukshëm për tu shndërruar në një armë efikase kur çasti të jetë i volitshëm. Çaste të tilla ka në historinë tonë moderne. Tentativat nuk kanë munguar ashtu si në 1997-ën. Është e pabesueshme dhe e paperceptueshme që qeveria shqiptare të mos e ketë vënë re një gjë të tillë. Përgjithësisht ekziston bindja se ashtu si çdo shtet tjetër në pozita të njëjta edhe shteti shqiptar po merr masa, gjithashtu të padukshme për të penguar këtë "kalë" të funksionojë, por nga ana tjetër ajo çka po përcillet dhe depërton prej Himarës është pikërisht ajo çka synon dhe i shërben Greqisë, në favor të politikës së saj dhe për më tepër po u rëndon shqiptarëve shumë. Lojërat që Bollano bën me qeverinë shqiptare i ngjan një sarkazme të pashoqe, që tall dhe fyen shqiptarët. Prej dy vitesh, shqiptarët kanë "kapërdirë" shumë prej këtyre fyerjeve, kanë duruar gjakun tek "kërcen në tru" dhe kanë heshtur. Në pamundësi për të shlyer këtë shije të hidhur që po vjen nga Himara, nën efektin dhe ndikimin e acarimit që shkaktohet thjesht dhe vetëm nga shqiptimi i emrit Bollano, Anvi Rustemin në Paris do ta justifikonin edhe pacifistët, edhe kundërshtarët e tij. Nga Himara po "dërgohet" një mesazh, që natyrisht nuk përkon me realitetin, se: "Pakicat greke kanë probleme". Kaq mjafton që Himara të përflitet apo të bëhet pikë referimi në qarqet e politikës ndërkombëtare. Kaq mjafton që Himara të bëhet "çështje". Me rastin më të favorshëm Greqia do të kërkojë më tepër të drejta për pakicën greke që ironikisht nuk e përmbush kriterin numerik për t'u konsideruar e tillë, dhe gjithçka do të mbajë emrin "Himarë". Terreni është përgatitur i tillë që keqkuptimi për diskriminim, i cili shoqëron debatet për të drejtat pakicave të anojë në favor të palës greke. Ndërsa me e fundmit strategji, i vetmi plan grek i pa vënë në jetë, ka nisur të funksionojë në Himarë, shtetarët tanë e injorojnë atë madje nënvlerësojnë haptazi fuqinë e këtij armiku. Nuk bëjnë as tentativën më të vogël për të penguar por çojnë në gjyq djemtë e krenarisë sonë kombëtare. Ngjarjet e vogla po rrjedhin drejt "urës" së ndërtuar prej qindra vjetësh nga mjeshtrit e politikës nacionaliste greke. Nëse shteti ynë ka një plan, apo as nën mëngë shqiptarët këtë nuk e dinë dhe nuk e njohin, por njohin mirë fqinjët e tyre, kaq u mjafton të shohin strukturën, tiparet, shëmbëlltyrën e një "kali" gjigand në brigjet e Himarës, të ndjejnë shijen e hilesë më të "përsosur" të të gjitha kohërave hilesë greke.           

Last Updated on Monday, 09 February 2009 22:07

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›