Leatherheads, komedi dhe romancë në kinemanë shqiptare
Muaj shkurt ka sjell në ekranin e kinema Millennium njëherësh dy filma. Nëse gjatë seancave të paradites projektohet komedia familjare Meet Dave, mbrëmja sjell një komedi romantike dhe mbresëlënëse. Bëhet fjalë për Leatherheads apo filmin që njihet në shtyp si përkushtimi i aktorit George Clooney për kolegen e tij, Renne Zellweger.
Kush është i dashuruar e di mirë se rregulli numër një dhe i fundit në dashuri është që të mos kesh asnjë rregull. Komedia romantike Leatherheads, është një histori dashurie ku dy aktorë si: George Clooney dhe John Krasinski janë legjenda të futbollit amerikan, që do të luftojnë për të fituar zemrën e gazetares bionde Renee Zellweger dhe kjo ndodh në situatë komike. George Clooney në film është Doxh Konolli, mit i futbollit amerikan, i vendosur për të çuar drejt stadiumeve të mëdha skuadrën e tij. Por disfatat nuk i ndahen dhe për të shpëtuar ekipin e tij kërkon ndihmën e një tjetër miti të futbolli, Karter Radhërford (interpretuar nga John Krasinski). Mes tyre gjendet një gazetare e re sportive, Leksi Litëllton (interpretuar nga Renee Zellweger) e cila është gruaja e ëndrrave për të dy lojtarët. Kështu që Konolli dhe Radhërford bëhen rivalë të fortë për të fituar zemrën e gazetares së bukur. Sapo filmi kishte mbaruar dhe ishte në prag të premierës së tij, nuk reshtën fjalët se George Clooney kishte shkruar një pjesë të skenarit duke menduar pikërisht për miken e tij,Renee Zellweger. Kjo gjë është përmendur në fakt shumë dhe gjatë konferencave për shtyp nuk kanë munguar shakatë e aktorëve dhe pyetjet e gazetarëve. "Për mua ishte shumë e vështirë që të punoja me George si aktor dhe regjisor. Vuajta paksa por në fund ia dola thotë duke qeshur aktorja Renee Zellweger, të cilës nuk i mungon lëvdata për Clooney. "Është i aftë të përqendrohet në atë që kërkon prej aktorëve ,është shumë i përgatitur dhe nuk humb kohë për të menduar se çfarë do të bëjë sepse e ka të qartë që në fillim". Një film të tillë po e kërkoja prej kohësh, thotë Clooney duke lënë pas shpotitë e konferencës për shtyp, por së fundmi të gjitha propozimet ishin shumë serioze. Kjo është një komedi, jo një apel për paqe. Kisha dëshirë që të zbavitesha dhe gjatë xhirimeve kishte një atmosferë shumë të lehtë dhe hokatare mes aktorëve dhe operatorëve. Aktori ka hedhur poshtë krahasimet që i janë bërë me Clark Gable, por nuk ka mohuar se ndikimi nga kinemaja e viteve 30 ka qenë i fortë. Nuk besoj se Clark Gable do të ishte i lumtur të mësonte se krahasohet me mua. Për të realizuar këtë film nuk jemi frymëzuar nga një film i vetëm, por i kemi kërkuar idetë sa andej- këtej. Sigurisht i jemi referuar regjisorëve Howard Hawks, George Cukor dhe nga komedia e sofistikuar e Preston Sturges. E adhuroj atë lloj kinemaje dhe më tërheq ajo kohë, ndonëse jeta e atyre viteve është shumë më ndryshe nga sa e përshkruaj unë në film. George Clooney shpjegon si është të luash dhe të drejtosh në film: Është shumë e vështirë të jesh regjisor i vetvetes dhe kur kjo gjë ndodh është e natyrshme që duhet të punosh më shumë. Në rastin e këtij filmi u sigurova që të punoja me njerëz të aftë dhe aktorë që e dinin se çfarë duhet të bënin, në mënyrë që të mos më duhej të shqetësohesha për punët e tyre, Kështu që e pata më të lehtë që të përqendrohesha tek regjia dhe roli im, përfundon Clooney.
Email This Klikime: 6
Email This Klikime: 6