E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy minorenët hajdutë,panik tek gratë e moshuara

01/05/2009  Arrestohet një 15-vjeçar, në kërkim shoku. Ata u merrnin çantat nga dora

DURRES- Policia e Durrësit është detyruar të vërë në pranga një minoren dhe të shpallë në kërkim shokun e tij, pasi ata janë vënë nën akuzën e vjedhjes së dhunshme të çantave të disa grave të moshuara. Florian R., 15 vjeç, është prangosur dje gjatë një operacioni të koduar “Çanta”, pasi është kapur në flagrancë duke tentuar t’i marrë më forcë çantën shtetases Sotira N. Minoreni 15-vjeçar i lindur në Përmet dhe banues në lagjen numër 18 të qytetit të Durrësit është mbajtur nën vëzhgim, pasi ai ishte person i denoncuar edhe nga disa gra të tjera të moshuara, të cilat janë dhunuar në të njëjtën mënyrë në hyrje të pallateve. Pasi policia ka detajuar gjithçka lidhur me abuzimet e Florian R. dhe të shpallurit në kërkim Eduard D., 17 vjeç, banor në të njëjtën lagje me minorenin tjetër, ka nisur edhe mbajtja nën vëzhgim. Ndërsa përmetari që kishte braktisur shkollën e arsimit të detyruar që në klasën e 6-të, është kapur në flagrancë dhe në banesë i janë gjetur edhe sende të vjedhura në çantat e grave të tjera, Eduart D. vijon të jetë i pavënë në pranga.

Grabitjet

Të dy minorenët janë akuzuar për gjashtë grabitje të kryera në bashkëpunim në një hark kohor prej 3 muajsh. Sipas policisë, rasti i parë i vjedhjes është denoncuar më datë 4 shkurt 2009 dhe i fundit më datë 29 shkurt 2009. Minorenët që janë vënën nën akuzën e vjedhjes kanë bashkëpunuar së bashku dhe vjedhjet i kanë kryer pasi janë bindur se ata nuk mbaheshin nën vëzhgim. Objekt i grabitjes bëheshin gratë e moshuara të cilave të dy minorenët, Florian R. dhe Eduart D. u merrnin çantat sapo ato afroheshin në banesën e tyre. Gratë që vidheshin nuk ishin të shoqëruara ndryshe minorenët hiqnin dorë sapo shikonin se ata ishin nën shoqërinë e ndonjë personi tjetër. Hajdutët, sipas policisë, merrnin fillimisht të dhënat për vendin e banimit dhe më pas ndiqnin në distancë rrugën e tyre nga shtëpia drejt pazarit. Në çastet kur të moshuarat ktheheshin në banesë, minorenët qëndronin tek shkallët e pallatit dhe ua shkulnin me forcë çantat e dorës. Në deklarimet zyrtare të policisë së Durrësit mësohet se minorenit të arrestuar i janë gjetur para dhe sende të tjera të vjedhura si bizhuteri, telefona celularë, karta rimbushëse etj. Policia është vënë në kërkim të personave, pasi gra që janë bërë viktima të dhunës kanë depozituar kallëzimet e tyre si dhe kanë mundur të afrojnë për policinë edhe të dhëna të ndryshme lidhur me paraqitjen e jashtme të minorenëve. Viktimë e parë është bërë shtetasja Ismete P në lagjen numër 4 së cilës i janë marrë 18 mijë lekë dhe një telefon celularë. Më pas dhe shumë grabitje të tjera janë kryer në të njëjtën mënyrë dhe tek moshat e larta. Pikërisht në fund të muajit mars policia vendosi të kërkonte dhe identifikonte autorët që ishin kthyer në makth për gratë në lagjen numër 3, 4, 11 dhe 12 të qytetit të Durrësit. Në lagjen numër është vjedhur shtetasja e moshuar Nafije H., ndërsa policia është bindur edhe për autorët duke drejtuar gishtin tek dy minorenët. Por arrestimi i Florian R. është bërë vetëm dje në kohën që ai i rrëmbeu me forcë çantën shtetases Sotira N.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›