E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykatat shkelën Kushtetutën për mbylljen e “Durrës-Kukës”

01/05/2009  Gjykata e Lartë rrëzon 2 vendimet, ku akuza kishte tejkaluar afatet e hetimit

TIRANE- Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe ai i Apelit që i cilësonte të tejkaluara afatet e hetimit për Durrës-Kukës, janë hedhur poshtë dje nga Gjykata e Lartë. Kjo e fundit i ka hapur kështu dritën jeshile Prokurorisë së Përgjithshme për të kërkuar rishikim të dosjes për ministrin Lulzim Basha, duke rrëzuar vendimin për mbylljen e çështjes marrë nga Gjykata e Faktit dhe ajo e Apelit me pretendimin se janë tejkaluar afatet për hetim. Kolegji Penal i kryesuar nga Gani Dizdari dhe i përbërë nga pesë gjyqtarë pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për të shpallur të pavlefshëm dy vendimet e dhjetorit 2008, ka vendosur prishjen e këtyre dy vendimeve, të cilat bënin fjalë për tejkalim të afatit të hetimit nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas Kolegjit Penal, Gjykata e Faktit e përfaqësuar në këtë çështje nga Fatmira Hajdari si dhe Gjykata e Apelit kanë shkelur Kushtetutën, pasi nuk kanë pasur kompetencën për të marrë në shqyrtim një kërkesë nga një person i pandehur, e për të cilin nuk kishte nisur ende hetimi, siç ishte ministri Basha. Kolegji deklaroi në seancën pa praninë e kamerave se dy gjykatat në vendimin pro kërkesës së Bashës kanë cenuar rëndë rendin kushtetues.

Rishikim i vendimit

Sipas burimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, ky vendim i kësaj të enjte të Gjykatës së Lartë krijon hapësirën e duhur për të kërkuar rishikuar vendimin e 10 prillit të po kësaj gjykate, e cila pushoi çështjen për rrugën Durrës- Kukës. Kështu sipas nenit 450 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të cilit i referohen edhe prokurorët rishikimi i vendimit të formës së prerë bëhet në rastet kur merret një vendim i dytë, i cili prek në themel pikërisht vendimin e formës së prerë, siç ishte ai i 10 prillit, i cili u bazua në pavlefshmërinë e hetimeve. Nga ana tjetër dje gjykata supreme ka rrëzuar të dyja vendimet lidhur me mbylljen e hetimeve për ministrin Lulzim Basha, i cili u akuzua për 232 milionë euro dëm për rrugën Durrës- Kukës. Sipas Gjykatës së Lartë, kjo do të thotë se është prekur themeli i vendimit të dy javëve më parë, hetimet duke krijuar kështu hapësirën për të mos e mbyllur këtu dosjen voluminoze të akuzës për ish-ministrin e Transporteve Lulzim Basha. Ndërkaq, mbetet ende i paqartë fakti nëse Prokuroria e Përgjithshme do ta ridërgojë dosjen për gjykim apo jo, pasi pak kohë më parë qëndrimet për këtë dosje ishin të vakëta, ndërsa Gjykata e Lartë ishte shprehur në formën e saj të prerë që ishin shkelur afatet e hetimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›