E Hënë, 2 Nëntor 2026

U fut në Ambasadën Amerikane, lirohet nga Gjykata

28/05/2005  TIRANË – Vladimir Prendi, 56-vjeçari që u fut fshehurazi në Ambasadën Amerikane, ka lënë dje qelitë e burgut, duke kërkuar ndjesë për veprimin. "Ju lutem të më falni se ju shkaktova probleme. Unë doja të futesha në ambasadë për të fituar azil politik, por me sa duket u gabova". Kështu mësohet se është shprehur në gjykatë Vladimir Prendi, për të cilin prokurori Genti Xholi kërkoi masën e arrestit me detyrim paraqitje. Sipas përfaqësuesit të akuzës, i pandehuri nuk është normal. Prendi jeton i vetëm në një nga ambientet e kinema "1 Maji" në Tiranë. Tri ditë më parë i lind ideja për t’u futur në ambasadë, jo se do të bënte ndonjë veprim terrorist, por se kërkonte azil politik. Këtë fjalë i pandehuri është shprehur se e ka dëgjuar gjatë ditës në bisedat e të moshurave. Nuk pranoi që para gjykatës të kishte në krah një avokat mbrojtës. "Nuk më duhet avokati. Unë nuk kam para, por edhe po të caktohet nga shteti, nuk më duhet. Pse të harxhohen kot ato para. Unë e di se çfarë kam bërë dhe për këtë ndihem fajtor. Por ju kërkoj përsëri ndjesë". Vladimir Prendi pas kërkesës së prokurorit dhe vendimit të gjykatës është lënë i lirë. Ai ka premtuar se nuk do të bëjë më atë veprim të shëmtuar. Disa ditë më parë, Prendi arriti të depërtonte rojet e sigurimit në ambasadën amerikane dhe i fshehur prapa një makine të futej në ambientet e saj. Është diktuar dhe menjëherë është dorëzuar në Komisariatin numër 1 Tiranë, ku është marrë në pyetje. Me vete, tha prokurori, nuk ka patur asnjë send të fortë apo armë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›