E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, 15 ish-vartës të Pinarit e Hoxhës, nën akuzë

 

Trazhgim Sokolaj

Numri i zyrtarëve dhe ushtarakëve të pandehur për tragjedinë e Gërdecit shkoi dje në 29 persona, duke shënuar një rekord për drejtësinë shqiptare. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi akuzat  edhe 15 të dyshuarve të tjerë një javë më parë, pasi ish-zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm u paraqitën si të pandehur para grupit të hetimit. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të organit qendror të akuzës sipas të cilave, 15 persona, ish-punonjës të ndërmarrjes MEICO, Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes, u njohën dje me akuzat “shpërdorim detyre” dhe “shkeljen e rregullave mbi lëndët plasëse dhe radioaktive”. Javën që shkoi, për tri ditë me radhë në Prokurorinë e Përgjithshme u thirrën 14 personat e parë, përfshi këtu edhe ish-ministrin Mediu dhe ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha. Ata u akuzuan për shpërdorim detyre ndërsa edhe 15 ish-zyrtarë të Ministrisë, ndërmarrjes MEICO dhe Shtabit të Përgjithshëm, janë njohur dje me akuzat e ngritura ndaj tyre. Numri i të pandehurve për çështjen “Gërdeci” ka arritur në 29 veta, ndërsa pritet që t’u njoftohet akuza edhe 11 të implikuarve të tjerë në këtë çështje. Përfundimisht në gjykatë, pritet që çështja “Gërdeci” të mbërrijë me 40 të pandehur, të akuzuar për shpërdorim detyre në bashkëpunim me pasoja të rënda. Asnjë nga personat e pandehur deri më tani, nuk ka pranuar akuzat e ngritura, duke pohuar se ka zbatuar ligjet dhe urdhrat e dhëna nga eprorët. Ndërkaq, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu i ka konsideruar politike dhe të pa bazuara akuzat e ngritura ndaj tij nga Prokuroria e Përgjithshme. Kjo e fundit mësohet se ka kërkuar përsëri paraqitjen e ish-ministrit të Mbrojtjes, tashmë për t’u pyetur në cilësinë e të pandehurit.    
Implikimi i zyrtarëve
Shqyrtimi i dokumenteve të gjetura në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërmarrjen MEICO dhe në Shtabin e Përgjithshëm, ka qenë burimi kryesor i provave që janë administruar në dosjen “Gërdeci”. Nga burime zyrtare të akuzës, mësohet se emrat e 15 personave që janë marrë të pandehur ditën e djeshme, kanë dalë gjatë shqyrtimit të dokumenteve që janë gjetur në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm dhe që bëjnë fjalë për procedurat e demontimit të fishekëve e predhave në “Gërdec”. I gjithë kuadri ligjor dhe administrativ i veprimtarisë që ushtrohej në ish-repartin e tankeve pranë Vorës, është përgatitur në bazë të urdhrave dhe kontratave të hartuara me pjesëmarrjen e shefave dhe specialistëve të ministrisë, ndërmarrjes MEICO dhe Shtabit të Përgjithshëm. Pikërisht hartuesit dhe nënshkruesit e këtyre dokumenteve, që krijuan hapësira për abuzim në Gërdec, janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse dhe radioaktive”. Organi i akuzës gjatë shqyrtimit ligjor ka gjetur mangësi në urdhrat dhe kontratat që janë hartuar e më pas nënshkruar mes ndërmarrjes MEICO, ushtrisë dhe subjekteve private që demontonin në Gërdec. Mangësi të tilla kanë krijuar hapësira që pronarët e bashkimit të kompanive “SAC-Albatemil” të punësonin njerëz nën moshë dhe të pa trajnuar, si dhe të çmontonin municione pa zbatuar kushtet e sigurisë. Një situatë e tillë dyshohet se është bërë shkak për tragjedinë e ndodhur më 15 mars 2008, ngjarje e cila shkaktoi 26 të vdekur, 300 të plagosur dhe shkatërroi mbi 5 mijë banesa të zonës. 

Dosja në gjykatë brenda muajit, “mbyllet” hetimi për shpërthimin

TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme thuajse e ka përfunduar hetimin e saj lidhur me shpërthimin e ndodhur në Gërdec. Verifikimi për shkaqet, rrethanat dhe fajtorët e ngjarjes tashmë kanë përfunduar ndërsa organi i Prokurorisë është duke kryer veprimet përfundimtare të procedimit penal. Dosja “Gërdeci”, fashikulli që bën fjalë për shpërthimin e ndodhur më 15 mars 2008, mësohet se brenda këtij muaji do të paraqitet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë me 40 të pandehur. Ndërkaq në Prokurori do të mbahet pjesa tjetër e fashikullit që bën fjalë për trafikun e mundshëm të fishekëve, abuzimin apo korrupsionin me shitjen nën vlerë të municioneve të ushtrisë shqiptare, si dhe probleme të tjera të kësaj natyre. Në fakt dyshimet për abuzime gjatë tregtisë së municioneve lindën pas tragjedisë së Gërdecit, kur çështjet ushtarake të kësaj natyre u kthyen në qendër të vëmendjes publike ndërsa pati pretendime se në repartin e çmontimit të municioneve ishin paketuar arka kartoni me municione të vjetërsuara. Ato dyshohet se janë nisur më pas nga Shqipëria për në Afganistan, për llogari të bosit të kompanisë amerikane AEY, Efraim Diveroli, i akuzuar në SHBA për mashtrim të autoriteteve me tregtimin e municioneve kineze të ndaluara duke u fshehur origjinën.

Supergrupi i hetimit të “Gërdecit”

Nga Prokuroria e Përgjithshme mësohet se fashikulli hetimor i Gërdecit ka mbërritur në një rekord përsa i përket sasisë së materialeve dhe provave të grumbulluara. Prokuroria shqiptare nuk ka pasur asnjë dosje tjetër me 300 procesverbale deklarimesh, mbi 300 raporte mjekësore për të plagosurit dhe 26 ekt-autopsi për viktimat e ngjarjes. Po kështu në dosje ndodhen qindra dokumente dhe shkresa zyrtare të sekuestruara në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ndërmarrjen “MEICO” në ditët pas tragjedisë. Me anë të këtyre dokumenteve, Prokuroria arriti të zbardhë rolin e individëve dhe pozicioneve shtetërore në raport me tragjedinë e Gërdecit.    

Të arrestuarit, një vit në qeli

Tre persona u arrestuan menjëherë pas tragjedisë së ndodhur në Gërdec të Vorës një vit më parë. Ish-drejtori i Ndërmarrjes shtetërore “MEICO”, Ylli Pinari, biznesmeni Mihal Delijorgji, që ngriti fabrikën e çmontimit dhe Drejtori i Punishtes, Dritan Minxolli, u arrestuan më 18 mars 2008 dhe që atëherë mbahen në qelitë e burgut 313 në kryeqytet. Nga burime zyrtare të akuzës, mësohet se këtyre personave u përfundon afati i paraburgimit pikërisht një vit pasi filloi heqja e lirisë. Pikërisht për këtë shkak, Prokuroria e Përgjithshme është “e detyruar” të dërgojë dosjen në gjykim ose të kërkojë edhe një vit tjetër shtyrje të afatit, por kjo ndodh vetëm me autorizim të veçantë nga Prokurori i Përgjithshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›